E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata elektorale, financimet e partive, transparenca e plotë vihet në dyshim

Shumë prej financimeve të partive bëhen nën dorë dhe nuk faturohen. Procesi i auditimit pas fushatës elektorale nuk do të jetë i lehtë

Shaban Sulçe
Transparenca 100% e financimeve të fushatave elektorale për partitë politikë duket se do të mungojë edhe në këto zgjedhje. Ndonëse në Kodin e ri Zgjedhor ka sanksione mjaft të ashpra për partitë që shmangin deklarimin e financimeve, ndonëse KQZ-ja ka shprehur vullnetin dhe angazhimin maksimal për auditimin e këtyre fondeve, janë partitë politike dhe funksionarë të tyre që po përpiqen të fshehin transparencën në këtë proces. Një pjesë mjaft e konsiderueshme e parave që po shpenzohen në fushatën elektorale nga partitë politike jo vetëm që nuk po faturohen, por dhe nuk po u deklarohet burimi i financimeve. Në shumë shtabe elektorale të partive financimet për shpenzimet operative bëhen në rrugë informale dhe “nën dorë”, duke mos pasur asnjë lloj mundësie auditimi dhe verifikimi. Ky veprim i partive politike bëhet me qëllim shmangien e detyrimit ligjor që mban Kodi Zgjedhor, sipas të cilit asnjë parti nuk mund të shpenzojë më shumë se dhjetëfishi i shumës që ato përfitojnë nga buxheti i shtetit. Nisur nga ky fenomen mund të thuhet se edhe në përfundim të kësaj fushate elektorale, askush nuk do të jetë në gjendje që të nxjerrë një shifër të saktë të financimeve që kanë përfituar partitë dhe të shpenzimeve që ato kanë kryer në aktivitetin e tyre elektoral. Ky fenomen ka sjellë edhe shqetësimin e organizatave joqeveritare, të cilat kanë kërkuar nga partitë politike që të bëjnë transparente shumat që ato po harxhojnë për fushatat elektorale.

Kodi
Kodi i ri Zgjedhor përmban masa të ashpra ndaj partive politike, të cilat refuzojnë të deklarojnë financimet që përfitojnë në fushatë, apo të deklarojnë burimet e këtyre financimeve. Kodi i ri Zgjedhor i jep të drejtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të emërojë me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore nga secila parti politike. Secili subjekt është i detyruar që të vërë në dispozicion të ekspertit kontabël të emëruar nga KQZ-ja çdo informacion, dokument apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimin e fushatës zgjedhore. Sipas Kodit, në rast se partitë do të refuzojnë të bashkëpunojnë me auditin e KQZ-së, atëherë ato do të gjobiten nga 1 deri në 2 milionë lekë. Në rast se partitë do të refuzojnë të deklarojnë burimet e financimit, ato do të gjobiten nga 2 milionë lekë deri në pezullimin për 5 vjet të financimit publik për partinë politike. Nëse shkeljet e konstatuara nuk do të përbëjnë kundërvajtje administrative, atëherë Kodi parashikon deri dhe ndjekje penale për donatorët apo financierët e partive politike.

TIA
Organizata “Transparency International”, me prezencën e saj në Shqipëri, ka kërkuar gjatë një deklarate për mediat që partitë politike të bëjnë publike burimet e financimit të fushatës elektorale. Gjatë prezantimit të një raporti paraprak mbi situatën e përgatitjes së zgjedhjeve në Shqipëri, një ndër përfaqësuesit e kësaj organizate ndërkombëtare në Shqipëri, Endri Shabani, ka bërë të ditur se ende mbeten anonimë financuesit e fushatave elektorale të partive politike në Shqipëri. Në këtë kuadër “TIA” ka kërkuar që bëhen publike jo vetëm faturat e shpenzimeve për çdo miting, por edhe burimet e financimit. “TIA” shprehu shqetësim për mungesën e transparencës së burimeve financiare duke hedhur dyshimin se fshehja e burimeve të financimit krijon dyshime për financime të paligjshme. Gjatë deklaratës për shtyp Shabani kërkoi të bëhen publike CV-të e kandidatëve dhe programet elektorale të partive politike.

Kodi, financimi nuk duhet të jetë më i madh se 1 milion lekë

Në Kodin Zgjedhor është përcaktuar shuma maksimale për financimin e subjekteve zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Nenit 89 të Kodit Zgjedhor, shuma e dhuruar nuk duhet të jetë më e madhe se 1 milion lekë. Të drejtën e dhurimit nga fondet jopublike do ta kenë vetëm personat fizikë ose juridikë vendas. Por, gjithashtu, edhe shtetasit shqiptarë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të kenë të drejtë të dhurojnë para për subjektet zgjedhore apo për kandidatët, sepse ata do të cilësohen persona fizikë vendas.
“Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime”, - thuhet në Kodin e ri Zgjedhor.
Në kapitullin e financimit të fushatave zgjedhore përcaktohen edhe kategoritë e personave që nuk do t’u lejohet të financojnë partitë politike apo kandidatët në fushatën elektorale. Sipas Nenit 89, ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksioner i tij nëse ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në dy vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë; nëse ushtron aktivitet në fushën e medias, nëse ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme apo nëse ka detyrime monetare ndaj buxhetit të shtetit ose ndaj çdo institucioni publik.

13 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›