E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: “28 qershori, momenti i të rinjve të Shqipërisë”



Partia G99 organizoi një takim në Qytetin Studenti, në kuadër të turit të saj elektoral “Rock dhe politikë”. Në këtë takim, kryetari i G99-s, Erion Veliaj, inkurajoi studentët të investojnë tek e ardhmja dhe edukimi i tyre sepse nuk mjafton të ndryshohet mënyra se si qeveriset Shqipëria, por nevojiten të rinj të përgatitur që të jenë gati ta ndërtojnë atë. Veliaj tha se zgjedhjet e 28 qershorit janë një moment historik për të rinjtë shqiptarë. “Prindërit tanë, kur ishin studentë në këtë qytet, e bënë Shqipërinë zonjë dhe bravo u qoftë, por ky nuk është momenti i gjyshërve tanë, ky nuk është moment i prindërve tanë, ky është momenti ynë, ky është momenti i të rinjve shqiptarë, kjo është koha jonë. Të gjithë flasin se do ta ndryshojnë Shqipërinë. Ajo që unë besoj është se ka vetëm një grupim që mund ta ndryshojë Shqipërinë: të rinjtë e Shqipërisë dhe studentët e Shqipërisë. Ata do ta ndryshojnë Shqipërinë”, - tha Veliaj.

Milo në Gramsh: “Mos i lejoni manipulatorët të grabisin votën tuaj”

Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, zhvilloi një takim në qytetin e Gramshit. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Milo vuri theksin në rëndësinë e madhe që ka për vendin zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të 28 qershorit. Kreu i PDS-së u tha anëtarëve të partisë së tij që të kontribuojnë për standardet e zgjedhjeve dhe të mos i lejojnë manipulatorët të grabisin votat e PDS-së. “Duhet të bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të dashur miq, sepse kushti i parë dhe kryesor që na ka vënë Europa është që më 28 qershor të bëjmë zgjedhje përfundimisht të ndershme, jo zgjedhje të manipuluara. Ju duhet të jeni shumë të vendosur, aq sa keni mundësi të kontribuoni që të mos lejoni profesionistët manipulatorë që t’i manipulojnë këtë herë zgjedhjet. Duhet të bëhemi agjitatorë, të luftojmë për zgjedhje të ndershme, të mos i lejojmë manipulatorët, hajdutët e votave të na diktojnë vullnetin politik të një pakice qeverisëse që të mund të shtyjë më tej vitet e sundimit mbi ne”, - tha Milo.

Gjinushi: “Vota për Berishën, votë për të kaluarën dhe krizën”

Turi i kreut të Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka vijuar me takime në komunën e Pojanit dhe më pas në qytetin e Korçës. Listën e kandidatëve të PSD-së për qarkun e Korçës e kryeson Gëzim Begolli. Gjatë fjalës së tij kryesocialdemokrati shprehu bindjen për fitoren e koalicionit “Bashkimi për ndryshim” në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjinushi tha se shqiptarët nuk duhet të votojnë për Sali Berishën, pasi vota për të do të thotë votë për të kaluarën dhe votë për krizën ekonomike. “Fitorja do t’i takojë Bashkimit për Ndryshim sepse koalicioni me Berishën është një koalicion me të shkuarën, që përfaqëson krizën. Vota për ne është votë për të ardhmen, vota për ata është votë për të kaluarën dhe për krizën, prandaj ne jemi të bindur në fitoren e përbashkët të 28 qershorit”, - tha nga qyteti i Korçës kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi.

13 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›