E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata me rrugët, qeveria kthen borxhet

Qeveria nis të bëjë llogaritë e fushatës elektorale. Përurimet e panumërta për tre muaj rresht kanë zbrazur konsiderueshëm arkën e shtetit, por kanë sjellë edhe një tregues pozitiv: tejkalimin e planit të investimeve me 260 për qind. Tashmë me mbylljen e Durrës-Kukës dhe të akseve nacionale, qeverisë nuk i mbetet shumë për të investuar. Këtë fakt e pranon edhe Ministria e Financave, e cila udhëzoi pak ditë më parë bllokimin e investimeve pas datës 3 gusht, duke mos lejuar prokurime publike. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, qeveria miratoi dje një vendim që i jep të drejtë Ministrisë së Punëve Publike të përdorë nga Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave, rreth 50 milionë dollarë për rrugët. VKM-ja nuk jep asnjë detaj më shumë, duke krijuar paqartësi rreth qëllimit që kërkon të arrijë qeveria. Këto 50 milionë dollarë, shtesë për cilat rrugë do të shkojë, kur pjesa dërrmuese e kontratave është mbyllur, ndërsa pas datës 3 gusht nuk do të lidhet asnjë tjetër? Sikurse ka ndodhur edhe vite më parë, në prag fushatash, për të mos humbur kohë në gjetjen e parave, qeveria zhvillon tenderë, pa pasur fondin në dispozicion. Kjo për faktin edhe të nevojës për të hapur sa më shumë kantiere ndërtimi, pavarësisht se në buxhet nuk është parashikuar një shpenzim i tillë. Dy vjet më parë, doli në publik shifra 5 milionë dollarë, që Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve i kishte firmave të ndërtimit. Bizneset kishin pranuar të nisnin punën me shpresën se do t‘i merrnin më vonë. E gjithë kjo që po ndodh tani është rrjedhojë e punimeve të bëra gjatë fushatës nga ndërtuesit. Tani që zgjedhjet mbaruan, qeveria mendon të prekë fondin rezervë, i cili përdoret për investime, duke mos cenuar deficitin buxhetor.

Rrugët nacionale

Duke u mbështetur në ligjin "Për buxhetin e vitit 2009", me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi dje përdorimin nga fondi i kontigjencës, i miratuar në nëntor të vitit të kaluar, të 4.3 miliardë lekëve, për programin e rrugëve nacionale, të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Vendimi i djeshëm hyn në fuqi menjëherë, pa qenë nevoja të botohet në Fletoren Zyrtare. Megjithatë, një tjetër arsye që lidhet me vendimin e prekjes së rezervës është mungesë e të ardhurave në buxhet. Kriza po tkurr të ardhurat nga doganat dhe tatimet. Me ligjin e buxhetit, qeveria ka të drejtë të prekë fondin për ruajtjen e deficitit buxhetor, në rastet e mungesës së të ardhurave të mjaftueshme. Rezerva e parashikuar për vitin 2009 është rreth 6 miliardë lekë.

Investimet e larta

Po dje, Kryeministri Sali Berisha foli për rritjen ekonomike të vendit dhe për nivelin e investimeve, që, sipas tij, prekin 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. "Fatmirësisht investimet në këtë vend kapin 10 për qind të prodhimit të brendshëm, ndaj edhe ata që flasin për krizë, e kanë një krizë të brendshme psikologjike. Një vend që investon me 10 për qind, sjell optimizëm, të kujdesshëm, por real", u shpreh Berisha. Kryeministri foli edhe për rritjen e eksporteve, të cilat po ngushtonin raportin me importet dhe përmirësim të deficitit buxhetor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›