E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza nuk e ndal shtrenjtimin e banesave

Vet Banka e Shqipërisë është habitur kur ka parë rezultatin e studimit mbi indeksin e çmimit të banesave në vend. Nisur nga shtrëngimi i kredisë dhe rënia e kërkesës, pritej një frenim i çmimeve, por 6-mujori i parë i vitit 2009 rezulton me një shtrenjtim prej 15.6 përqindësh. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë nisur llogaritë e tjera për të parë ndikimin e euros te çmimet në ndërtim, duke pasur parasysh rritjen e saj në raport me lekun. Duke zbritur ndikimin e kursit të këmbimit, sërish dilte një rritje e çmimeve për banesa, prej 8 përqindësh, krahasuar me vitin e kaluar. "Rritja vjetore e indeksit të çmimit të banesave me 15.6 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009 konfirmoi kthesën rritëse të nisur që nga tremujori i parë i këtij viti, pas një periudhe njëvjeçare rënëse", thotë në raportin e saj BSH-ja. Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2009, indeksi i çmimit të banesave u rrit me 6 për qind në tremujorin aktual.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e çmimeve të shitjes në tremujorin e dytë të vitit 2009 është paraprirë nga vlerësime të bizneseve ndërtuese për rritjen e kostos në prodhim. "Shtrëngimi i kushteve të kreditimit gjatë vitit 2009, bazuar në vrojtimin e aktivitetit kreditues, sugjeron për një ndrydhje të kërkesës. Dinamika e kërkesës dhe ofertës në tregun e pasurive të paluajtshme, në kushtet e një kërkese më të tërhequr dhe të një oferte të qëndrueshme, sugjeron një frenim të rritjes së mëtejshme të çmimeve mbi nivelin aktual", analizon BSH-ja.

Ndërkaq, indeksi i qirasë së banesave në kryeqytet është rritur me 7.5 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009 (rritja është 5.9 për qind sipas matjeve të indeksit të qirasë, duke zbritur efektin e vlerësimit të kursit lek/euro). Në krahasim me tremujorin e kaluar, tarifa e qirasë u ul me 14.7 për qind (16 për qind pa efektin e vlerësimit të kursit lek/euro). Ndryshimi me kahe të kundërta i çmimit dhe qirasë së banesave në tremujorin

e dytë në krahasim me të parin ka rezultuar në rritje të raportit çmim/qira.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›