E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët: Emigrantët, me virozat më të vështira

Sipas mjekëve të poliklinikave dhe qendrave shëndetësore, virusi i gripit të derrit AH1N1, jo vetëm që u importua nga udhëtarët dhe emigrantët jashtë vendit, por një tjetër evidentim i tyre ka qenë edhe për shqetësimet e gripit të zakonshëm. Sipas tyre, emigrantët, fëmijët e tyre që vijnë nga vendet e prekura janë më problematikët, me virozë të rëndë, shqetësime më të vështira se qytetarët e tjerë. Ndërkohë që kampionët e gjakut që merren nga personeli i poliklinikave dhe qendrave shëndetësore dërgohet menjëherë pranë laboratorit të Institutit të Shëndetit Publik. Pas nxjerrjes së rezultateve dhe të dhënave të këtij instituti, në rast se nevojitet një konfirmim i dytë, kampioni dërgohet për verifikim pranë laboratorit të referencës, për Europën Juglindore, në Rumani. "Janë emigrantët ata që e importuan virusin, por edhe në rastet që vizitojmë, shenjat më të rënda të virozëve të stinës janë te të ardhurit nga jashtë", sqaruan mjekët pranë poliklinikës numër 10, Tiranë.

Shpërndarja

Tiranë, Fier, Vlorë, Sarandë, Lushnjë këto janë qytetet kryesore të cilat kanë dërguar pranë laboratorit të ISHP-së kampionë gjaku, të emigrantëve që janë paraqitur në qendra shëndetësore, poliklinika apo edhe spitale rajonale. Dy ditë më parë, në një nga poliklinikat e Tiranës, një nga kampionët e dërguar, sipas mjekëve, është i një emigranti, i cili ka ardhur nga një vend i prekur prej AH1N1, gripi i derrave. Sipas mjekëve të poliklinikave, deri tani janë marrë masat mbrojtëse, duke përfshirë materiale si maska, doreza, janë afishuar pranë qendrave shëndetësore fletëpalosje dhe postera. Gjithashtu, janë shpërndarë edhe informacione në variantin e printuar, të cilat u janë shpërndarë popullatës. Këtu jepet informacioni se çfarë është gripi i derrit, cilat janë mënyrat e infektimit, si duhet ta parandalojmë, si duhet ta trajtojmë dhe shenjat e para të këtij virusi.

Virusi në Shqipëri

Pavarësisht simptomave të rënda, të cilat janë shfaqur kryesisht te kontingjenti i emigrantëve, të gjitha rastet e shfaqura në Shqipëri me virusin AH1N1 kanë pasur simptoma të lehta.

ISHP-ja në buletinin e fundit informativ, ka raportuar lidhur me ecurinë e shpërhapjes së këtij virusi në vendin tonë, se shenjat e shfaqura ishin temperaturë më e ulët se 38 gradë Celsius, dhembje koke, dhembje fyti, dhembje muskulore dhe lodhje. Sipas ISHP-së, vetëm dy raste të mundshme paraqitën shenja klinike, për të cilat u gjykua shtrimi në spital dhe vetëm për një rast u fillua trajtimi i menjëhershëm me tamiflu. Të gjitha rastet e tjera nuk kanë pasur komplikacione dhe nuk janë shtruar në spital. Izolimi i tyre është kryer në kushtet e shtëpisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›