E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, samiti i PPE shtyn zyrtarizimin e Lulzim Bashës

TIRANE- Samiti dyditor i Partive Popullore Evropiane detyron partinë në pushtet PD-në, të shtyjë zyrtarizimin e kandidaturës së Lulzim Bashës si kandidat për Bashkinë e Tiranës. PD kishte parashikuar që të realizojë paraqitjen e kandidaturës së ministrit të Brendshëm përpara elektoratit të kryeqytetit, por samiti i PPE-së ka detyruar kryeministrin ta shtyjë këtë prezantim për të premten. Kështu  më 26 mars në ora 18:00, në pallatin e sportit “Asllan Rusi” PD-ja pritet të paraqesë kandidatin e saj, Lulzim Basha. “Fillon e Ardhmja e Tiranës”, kjo do të jetë motoja e fushatës së kandidatit demokrat për kryeqytetin.

Ndërkohë që kryeministri Berisha pas mbledhjes së qeverisë është nisur dje pasdite drejt Brukselit për në samitin e PPE, i cili do të mbahet nesër në Kështjellën ‘Bouchout’ në Meise. Në këtë samit marrin pjesë personalitete të njohura të politikës europiane, kryetarë shtetesh e qeverish dhe liderë të opozitës të vendeve të BE-së dhe atyre jashtë BE-së, si dhe presidenti i KE-së, Van Rompuy, Barroso dhe ai i PE, Jerzy Buzek.
(s.g/GSH/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›