E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngarkesa me 200 kile kokainë vazhdojnë hetimet

TIRANE- Biznesmeni i kroasantëve nga Gjirokastra, bashkë me vajin e palmave kishte porositur që në adresë të tij të nisej edhe një sasi kokaine, mbase më e madhja që është deklaruar ndonjëherë nga autoritetet tona. Lënda e kushtueshme porositej në Kolumbi dhe stacionimin e parë e kishte në Spanjë. Aty do të kryhej edhe modifikimi në bidonët që do t’i sillnin vajin në Shqipëri, por rruga që do të përshkonte kamioni ishte e gjatë. Spanjollët e hetimit bien në gjurmët e sasisë marramendëse të kokainës që do të shkonte në Shqipëri e në dijeni të këtij fakti vihen autoritetet e Belgjikës. Prej më se një jave, dy ekspertë të hetimit belg u gjenden në vendin tonë, ku edhe përgatitën terrenin për të mirorganizuar operacionin që nisi pasditen e së martës në Gjirokastër me një urdhër-arresti të lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa do të sekuestrohej malli dhe bashkë me të do të viheshin në pranga edhe katër persona, dy prej të cilëve udhëtarët e 200 kilogramëve kokainë. Policia e Shtetit dhe prokuroria e Krimeve të Rënda kanë qenë tejet të rezervuara në lidhje me detajet e këtij operacioni, ndërsa emrat e të arrestuarve nuk janë bërë të ditur publikisht. Në reagimin zyrtar të organit qendror të akuzës jepen vetëm shtetësitë e dy transportuesve, që janë një çift maqedonas dhe një shtetas shqiptar me inicialet Dh.M.
“Dorëzimi i Kontrolluar”
Sasia prej 200 kilogramësh e kokainës mësohet se ka kryer itinerarin e gjatë: Kolumbi-Spanjë-Belgjikë-Austri-Slloveni-Kroaci-Maqedoni, për të kaluar më pas në destinacionin final, në Gjirokastër. Nga sa bëhet me dije, aty gjendeshin edhe mjetet e duhura për të bërë të mundur filtrimin e kokainës nga vaji i palmave dhe sipas të dhënave të hetimit ndërkombëtar, besohet se në këta bidonë janë transportuar plot 200 kg kokainë. Oficerët belgë që kanë dhënë edhe detajet e rrugëtimit të lëndës, kanë njoftuar homologët shqiptarë të antidrogës se personi pritës ishte një biznesmen i fuqishëm në Gjirokastër dhe se kokaina do të nxirrej pikërisht nga bidonët e vajit të palmës të blerë në Spanjë. Kështu, procedimi sipas Krimeve të Rënda nis që më 19 mars për t’u vënë në pranga Kristaq Proko, i cili njihet si poseduesi i kompanisë “Merentino” me vendndodhje në Gjirokastër. Përveç tij mësohet se është ndaluar edhe vëllai i biznesmenit si dhe shtetasi Dhori Himo. Gjithashtu, në pranga ka rënë edhe shoferi i kamionit, i cili mësohet se është shtetas maqedonas dhe që në momentin e ndalimit saktësohet se ka qenë bashkë me gruan e tij. Lënda që mendohet të jetë tretur në vajin e palmës, që është pjesë e punës së biznesit të Prokos, mendohet se pas filtrimit të jetë e sasisë prej 200 kilogramësh, ndërkohë që sipas të dhënave bëhet me dije se nën vëzhgimin dhe hetimin e Krimeve të Rënda janë edhe një sërë personash të tjerë, të cilët dyshohen si bashkëpunëtorë në kalimin e sasisë më të madhe të kokainës nëpër vendin tonë. Operacioni që është kryer mbi metodën e dorëzimit të kontrolluar, ka përfshirë në këtë hetim një sërë komponentësh të cilët kanë lajmëruar për çdo ecuri të kamionit që drejtohej nga maqedonasi dhe që do të sillej në Shqipëri e konkretisht në Gjirokastër, që njihet si ‘hambari i hashashit’, por jo edhe i përpunimit të kokainës.
(Shkrimi i Nikoleta Kovaçi e Klodiana Lala eshte botuar sot ne Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›