E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS regjistron koalicionin “Aleanca për të Ardhmen”

TIRANE-Koalicioni opozitar “Aleanca për të Ardhmen” u regjistrua dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me 24 parti. E perditshmja Gazeta Shqiptare informon sot se jashtë koalicionit ka mbetur PBDNJ-ja, e cila ka vendosur që të vijojë të jetë në koalicion me PS-në, por jo në këto zgjedhje.
Më në fund pjesë e koalicionit zgjedhor janë bërë edhe PSD e Skënder Gjinushit dhe PDS e Paskal Milos, të cilët kishin pretendimet më të shumta për zona të lira. Ndarja e Vangjel Dules nga koalicioni me PS-në erdhi pasi nuk ranë dakord për Bashkinë e Himarës. PBDNJ kishte përcaktuar se në këtë bashki do të kandidonte Vasil Bollanon, ndërsa PS-ja ishte shprehur kundër tij për shkak të skandaleve të zbuluara. Ndaj, PS-ja nxori kandidatin e saj, Gjergji Goron. Por meqë ligji nuk lejon që partitë të jenë në një koalicion zgjedhor dhe të dalin me dy kandidatë, Dule dhe Rama vendosën që të mos jenë bashkë legalisht në këto zgjedhje vendore në 8 maj. 

Në vargun prej 24 partish, që janë përsëri 2 më shumë sesa koalicioni i PD-së, kanë zënë vend që nga të persekutuarit e Kurt Kolës, të gjelbrit, pensionistët etj, të cilët për shkak të Kodit Zgjedhor nuk mund të regjistrohen si subjekte të veçanta në KQZ, pasi kërkohen shumë firma e procedura.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›