E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata utopike

Në moshën e fëmijërisë së hershme kemi dëgjuar histori për zanën dhe shkopin magjik, për botën e cudirave dhe për babagjyshin e .vitit të ri. Në atë moshë të gjithë e besonim se ekzistojnë magjitë, mrekullitë, zanat, listat e dëshirave, dhuratat e paimagjinueshme dhe fundet e lumtura ku fiton më i miri. Më vonë u rritëm, mësuam të vertetën, u përballëm me jetën reale, por gjithësesi, edhe kur u bëmë prindër u rezervuam fëmijëve të njëjtën botë përrallore iluzioniste. Riti vazhdon, ata na besojnë dhe i japin jetë imagjinatës së tyre, në një botë paralele, me personazhe dhe histori ireale.
Fëmijëve u lejohet të krijojnë një botë të tillë, të rriturve jo. Bota e të rriturve është e prekshme, jeta është reale, sfidat janë të lexueshme, aspiratat fillojnë numërimin mbrapsht bashkë me vitet që ikin. Në një plan më të gjerë, Kushtetuta jonë u njeh shtetasve mbi 18 vjec cdo të drejtë dhe përgjegjësi, që u mundëson atyre ekzistencën dhe mbijetesën e pavarur në një shoqëri gjithnjë e më të hapur e konkurruese. Individi mbi 18 vjec ka të drejtë dhe përgjëgjësi të vendosë vetë për fatin e tij, të zgjedhë e të zgjidhet, të përgjigjet për gabimet dhe të synojë suksesin, të krijojë familje dhe të projektojë në mënyrë të pavarur të ardhmen e tij. Por jeta reale nuk është gjithnjë parajse, ofron dilema, ofron shanse për zgjedhje dhe bashkë me to, shansin për të fituar apo humbur.
Këto parime sa filofozike aq edhe ligjore po ndeshen aktualisht në Shqipëri me një realitet kundërthënes, dicka midis fantazisë dhe sjelljes tradicionale, midis një Shqipërie të një shekulli më parë dhe të një shekulli më vonë ku bie në sy mungesa e Shqipërisë së sotme, asaj reale. Vetë fushata e fundit elektorale, sjellja e partive dhe e kandidatëve, e medias dhe e publikut, - janë tregues të këtij kontrasti të thellë midis Shqipërisë reale dhe asaj ireale. Fushata është në dilemë midis temave lokale e kombëtare, midis zgjedhjeve teknike e politike, midis qytetarit e të ardhmes, midis imazhit modern dhe mentaliteteve gati feudale për fjalën, për votën, për tjetrin dhe përgjegjësinë publike.
Palët politike, partitë dhe kandidatët, - i kanë hyrë një gare të ethshme premtimesh për një Shqipëri ndryshe, për një Shqipëri ideale, pa korrupsion e varfëri, pa papunësi e emigracion; ku qytete e komuna shkëlqejnë nga parqet turistike e linjat e metrove; ku ka punë për të gjithë, madje me rroga të larta dhe pa mbaruar ende shkollën; ku përgjysmohen taksat dhe falen borxhet publike; ku hapen disa dhjetra universitete, shkolla, kopshte, qëndra kulturore, kinema, qëndra sportive; ku udhëtohet me tramvaj e trena të rinj me vetëm një biletë apo ku tregjet e konsumit janë të mbushura me shitës me taksa lehtësuese dhe blerës me cmime të ulta. Të gjithë duket se kanë marrë rolin e babagjyshit, i cili duke ecur në rrugë, duke folur me njerëzit e rastësishëm, duke dëgjuar hallet e tyre, pa menduar asnjë sekondë me zë të lartë e dhembshuri premton tua zgjidhë pa rezervë të gjitha hallet, jo më vonë sesa me 9 maj, pra një ditë pas zgjedhjeve lokale. Atij që ka ndërtuar pallate pa leje u premtohet legalizim e hipotekim i shpejtë, atij që është pronar i tokës tek pallati i premtohet kompensim i shpejtë financiar, atij që ankohet për taksa të larta i premtohet ulje drastike, atij që ankohet për rroga të ulta publike i premtohet shumëfishim i saj, atij që i duhen para për investim i premtohen kredi të buta, atij që nuk paguan dot kredinë i premtohet falja e kredisë, atij që paguan rregullisht faturat elektrike i premtohet ulje e cmimit, atij që nuk i paguan i premtohet falja e borxheve, atij që do park për shetitje i premtohen disa parqe, atij që kërkon leje ndertimi i premtohet liberalizim i tyre, atij që kërkon bursë studimi i premtohet bursë dhe korpus universitar, ai që kërkon punë merr premtimin për 100 mijë vende të reja pune, kurse ai që kërkon pushim i premtohet turizëm malor e fushor, dimësor e veror. Këto ditë kandidatët tanë për bashki apo komuna premtojmë gjithcka, madje tej imagjinatës dhe me seriozitet të madh. Të gjithë i dëgjojmë, me siguri nuk u besojmë, por të gjithë heshtim. Sepse politika në Shqipëri nuk është profesion i njerëzve me ide, vizion e alternativa zhvillimi, ajo është koorporatë - monopol, dhe në thelb kooperativa më e madhe dhe me siguri, e fundit e një mentaliteti të vjetër të cilin patëm besuar se e lamë pas 20 vjet më parë.
Në kontrast me garën e premtimeve për Shqipërinë ideale ende asnjë parti ose kandidat kryesor nuk ka ende një program të shkruar për qytetarin në rrugë. Ka videoprojektorë dhe imazhe interneti, ka fjalë dhe fjalime, por program të shkruar ende nuk ka. Palët politike, pavarësisht se e kanë qeverisur këtë vend nga 10 vjet (pushtet qëndor ose lokal) nga retorika elektorale sillen si Kolombi; sillen si sapo të ardhur në këtë botë, sikur tani dhe vetëm tani kanë zbuluar se ky vend ka nevojë për rrugë, drita, ujë, shkolla, kopshte, cerdhe, ura, vende pune, investime, turizëm dhe plane rregulluese. Të gjithë ankohen për palën tjetër, të gjithë premtojnë parajsën, por deri tani asnjë kandidat bashkie apo komune nuk ka paraqitur ende një draft publik të burimeve të mundshme të financimit të projekteve që premtohen. Nëse i pyet, të flasin për buxhet, keqmenaxhim, taksa, kredi, donacione të huaja, etj, a thua sikur bankat dhe shtetet e huaja janë duke pritur 9 majin për të lëshuar "cekun e bardhë" për zyrtarët tanë të rinj në bashki e komuna.
Teza e shoqërive me probleme në kulturën demokratike, ku raportet politikë-qytetar krijohen vetëm me një kah, - marrjen e votës, ku reklama e mirë mund të shesë edhe produktin më të keq, - fushata po bën kontrast të thellë me aktualitetin. Psh, i gjithë buxheti qeverisës dhe kreditë e huaja nuk kanë arritur ende të bëjnë ca metra unaze përreth Tiranës apo të mbyllin gropat e hapura në sheshin "Skënderbej" (financim kuvajtjan), të hapin një shkollë të re në lagjet e periferisë apo të gjejnë tokë të lirë për varreza, të mbrojnë bustet e simboleve kombëtare apo të shpëtojnë bibliotekën e muzetë kombëtare, - ndërkohë që me këtë buxhet modest sot palët premtojnë një Shqipëri - parajsë, me linja metroje e tramvaji nga Vlora, Durrësi e deri në Tiranë. Zyrtarët, të cilët nuk kanë paguar ende borxhet e firmave të ndërtimit të pragfushatës 2009, nuk gjejnë para për pensione mbijetese për paraplegjitët apo të sëmurët me dializë, ankohen për mungesë fondesh për tu dërguar abetare shqip fëmijëve shqiptarë në botë, në kushtet e një krize ekonomike rajonale e globale, tani tundin "cekun e bardhë" dhe premtojnë 5-6 qytete metropole, autostrada kombëtare e porte rajonale. Pyetja më e pritshme qytetare është: kur paska qenë kaq e lehtë, kur "shpëtimtarët" i paskemi pasur këtu, përse u deshën 20 vite eksperimente, përse u prit kaq gjatë, kush mban përgjegjësi për dështimet dhe kohën e humbur dhe së fundi, përse palët kanë rikandiduar në emër të vizionit të ri 60% të kryetarëve me dy e më shumë mandate? Kur të gjitha palët përbetohen për ndershmëri dhe përkushtim ndaj qytetarit, përse askush (parti e kandidatë) ende nuk kanë bërë publike burimet e financimit, përse vendi i dytë më i varfër në Europë po zhvillon një fushatë shpenzimesh luksi, përse zgjedhjet e radhës po zhvillohen jetë a vdekje, përse 20 vjet pas pluralizimit politik grindemi për flamuj e postera, përse palët e kanë ndarë shoqërinë në dy pjesë bardh e zi, përse vendi ndodhet në pikë kritike në raporte me aspiratat integruese dhe së fundi, cili është modeli më i mirë i një bashkie apo komune të këtyre dy dekadave që palët ofrojnë? Teoria e tokës së djegur, e cekut të bardhë, bashkëvuajtës e bashkëfajtor, apo e slloganeve fyese me të cilat politikanët identifikojnë portretin e tyre me atdheun, flamurin, qytetarët dhe kombin, - janë tashmë një histori e konsumuar tranzicioni.
Zgjedhjet duhet të kenë vlerë jo vetëm nga përmbajtja (votimi e numërimi), por edhe nga brendësia e produkti i tyre. Individi fitues dhe partia fituese kanë përgjegjësinë të qeverisin edhe në emër të atyre që kanë votuar kundër, që kanë abstenuar ose janë refuzues të politikës. Kandidatët dhe partitë, të cilat publikisht deklarojnë se projektet e tyre do të realizohen vetëm nëse qytetarët votojnë për ta, - përvecse cënojnë parimet demokratike kryejnë kështu edhe një veprim antikushtetues. Sistemi ynë zgjedhor nuk lejon drejtim me bashkëkryetar në bashki e komuna, një do të fitojë, tjetri do të duhet të pranojë humbjen. Ndaj fituesi duhet të mendojë për 9 majin, ditën kur duhet të përballet me listën e gjatë të premtimeve spektakolare. Që të shpresojmë se kjo do të ndodhë, atëherë palët politike, kandidatët dhe militantët kanë dy javë kohë për ti vendosur këmbët në tokë, për tu bërë seriozë, për të ofruar projekte dhe zgjidhje racionale, për një qeverisje normale e qytetare; - pa tepri, pa përralla, pa utopi e fantazi fyese, pa liderë ateistë që duan të imponohen si Mesia. Kjo dhe vetëm kjo sjellje do të mund të jetë rruga e vetme që qytetarët të jenë të parët, që 8 maji të jetë verdikt qytetar për një Shqipëri reale e normale.
*Mendimet e shprehura janë të autorit
dhe nuk përfaqësojnë pikëpamje zyrtare të institucionit ku ai punon.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›