E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga dy grupeve të grabistësve në kryeqytet

Katër persona të akuzuar për bastisjen e një dyqani celularësh u prangosën nga policia


TIRANË- Katër të rinj kanë përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit, të dyshuar si autorë të bastisjes së një dyqani celularësh në rrugën e Durrësit, ku edhe është marrë thuajse i gjithë malli që ndodhej në të.


Erion Hysenllari, 31 vjeç, Gentian Osmani, 23 vjeç, Klodian Sorra, 22 vjeç dhe Sokol Rustani, 20 vjeç, të katër me banim në Tiranë, janë arrestuar nga strukturat e hetimit të krimit në Komisariatin nr. 3, të cilët akuzohen për vjedhen e dyqanit të celularëve , ndodhur pesë ditë më parë në rrugën e Durrësit, ku janë vjedhur një sasi e madhe celularësh dhe aksesorë të tyre.


Katër personat e akuzuar për vjedhje janë arrestuar gjatë orëve të vona të së hënës gjatë operacionit policor të koduar "Porosia e fundit II".


Ndërkohë, gjatë arrestimit të katër të rinjve, policia iu ka sekuestruar edhe 105 telefona celularë, të markave të ndryshme, aseksorë telefonash celularë të markave të ndryshme, një automjet tip Volkzvagen, me targë AX 068 CM, në pronësi të të arrestuarit Klodian Sorra, dy çanta sportive dhe dy palë doreza. Katër personat ishin shpallur në kërkim nga policia, pas informacioneve për përfshirjen e tyre në vjedhjen e dyqanit të celularëve.


Personat që janë arrestuar nga efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 3 akuzohen për veprat penale të "vjedhjes" e kryer në bashkëpunim dhe " pastrimit të produkteve të veprës penale". Ndërkaq po nga ky komisariat, janë ndaluar edhe tre persona të tjerë, nga Shkodra me akuzën e vjedhjes së automjeteve.


Sipas burimeve zyrtare, Gaspër Shkoza, 21 vjeç, Arben Gilaj, 18 vjeç dhe P.P, 18 vjeç, janë ndaluar nga oficerë të hetimit të krimeve të komisariatit nr.3, pasi ishin kapur duke vjedhur një automjet të markës "Mercedez- Benz", në ngjyrë të verdhë me targa TR 50 17 F.


Nga hetimi i kryer prej specialistëve të hetimit të krimit, këta persona dyshohet të jenë autorë të një sërë vjedhjesh me tendencë automjetet, lokalet dhe banesat në qytetin e Shkodrës dhe Tiranës. Gaspër Shkoza.


Gjatë arrestimit të tyre policia pohoi se ka mundur të gjejë edhe prova që hedhin dritë mbi krimet për të cilat dyshohen personat. Dosja hetimore në ngarkim të tyre është dërguar në prokurorinë e Tiranës, ndërsa sot pritet që ndaj të arrestuarve të komunikohet edhe masa e arrestit në flagrancë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›