E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbijetesa e një miti

31-03-2013 / Nga Dush Gashi

Politikanët serbë janë në mundime të mëdha. Madje në ferr të vërtetë. Njëmbëdhjetë ditë skëterre i ka numëruar nënkryetari i parë i qeverisë serbe, Aleksandër Vuçiq, sa u dashkan t’i kalojnë mes rundit të fundit të bisedimeve me kosovarët, e 2 prillit, ditës kur pritet rundi i ri. Kaq e vështirë qenka zgjidhja mes planit të tyre për një autonomi serbe në Kosovë, apo të fitojnë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, duke pranuar planin evropian për veriun e Kosovës. Shtyrja e bisedimeve bëri që “ferri” i qeveritarëve serbë të koincidojë me përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, ditët kur shqiptarët e Kosovës e kujtojnë ferrin e vërtetë që ua shkaktuan forcat serbe, mjerimin e vuajtjet biblike dhe viktima të panumërta të vrarësh e të masakruarish, përkujtimet e të cilëve në gazeta në të vërtetë paraqesin fotografi familjare, me gjyshin e gjyshen, po edhe me nipin a mbesën ende në ngrykë të së ëmës. Edhe serbët numëruan viktimat e tyre të “agresionit”, kryesisht ushtarakësh e policësh, por edhe të civilëve, viktima të paqëllimta nga bombardimet; u ankuan për rrezatimin që edhe tash na qenka mbi kufijtë e lejuar kinse nga uraniumi i varfëruar i bombave kasetore, si dhe u krenuan për rrëzimin e një aeroplani amerikan nga mbrojtja e tyre kundërajrore. Një e përditshme botoi citate politikanësh e personalitetesh tjera botërore, reagime të frustruarish nga pamundësia për të ndaluar tmerret e luftërave të shkaktuara nga serbët gjatë viteve të 90-ta. Sigurisht të shkëputura nga konteksti, gazeta i cilësoi si deklarata “raciste”, edhe kur një Klus Kinkel, atëherë ministër gjerman i Punëve të Jashtme, thotë se “serbët duhet gjunjëzuar”, apo James Baker, atë kohë sekretar amerikan i Shteti të SHBA-së, i cili deklaron se do të bëjnë “luftë diplomatike, ekonomike, politike, propagandistike e psikologjike”, a Margaret Thatcher, kryeministrja britanike, e cila kërkon të ndalohen serbët “menjëherë, përgjithmonë”. Në vend që të konstatohet se serbët e kishin kaluar çdo kufi, e njëjta etiketë i vihet edhe vërejtjes së papa Gjon Palit II, drejtuar presidentit Bill Clinton, se “do të duhej t’i bombardonit serbët”, apo vetë presidenti Klinton, i cili thotë se “serbët po bëjnë terror dhe po i dhunojnë fëmijët shqiptarë”. Me një fjalë, krejt bota, sidomos Perëndimi, po komploton kundër serbëve! Asjë fjalë për luftërat për krijminin e Serbisë së madhe, gjenocidin në Bosnjë e në Kosovë! Përkundrazi! “Serbia më nuk do të jetë e detyruar të luftojë”, do të thotë kryeministri Daçiq! E qartë, serbët atëherë paskan qenë të detyruar të luftojnë! Sigurisht edhe që në këto lufta t’i bëjnë bashkë të gjithë piromanët e psikopatët që djegin, torturojnë, vrasin e dhunojnë! Miti mbi serbët viktimë ka mbijetuar! Por, serbët duan të hyjnë në Evropë. Pa asnjë kërkim-falje, asnjë gjykim të së kaluarës së tyre të afërt, barbare, e me gjithë mitet e tyre për “Kosovën serbe” e “serbët viktimë”. Veriu i Kosovës u ka mbetur si ndonjë nga oazat e fundit, ku mund ta kultivojnë këtë mit. Është në duar të Evropës t’ua marrë, apo t’ua lërë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›