E Diel, 1 Nëntor 2026

“Debatet për dekretet e presidenti spekulative, të enjten nuk ishin në rendin e ditës”

31-03-2013 / Gazeta 55

Zëvendëskryetari i LSI-së, Petrit Vasili

LSI refuzon përgjegjësinë për mosvotimin e 3 dekreteve të Presidentit Nishani në seancën e fundit parlamentare. N/kryetari Petrit Vasili e quajti spekulativ debatin e krijuar mbi kandidatët për Gjykatën Kushtetuese. “Dekretet nuk kanë qenë futur në axhendë. Në lidhje me to ka pasur komente jo mbështetëse nga përfaqësues të PD që kanë shprehur votën kundër, si Alibeaj, ndërkohë që kur ato të vijnë në sallën e parlamentit sigurisht do të jenë objekt i shqyrtimit  dhe i shprehjes me votë, por në rastin konkret jemi përpara komentit të një gjëje që nuk ka ndodhur, pra nuk kanë qenë pjesë e agjendës dhe nuk janë vënë për votim. Kështu që në shumë raste besoj që në mënyrë paradoksale kemi folur për një mos votim ndërkohë që s’kemi pasur një produkt i cili duhet të votohej. Duhet të vijnë në sallën e parlamentit, të futen në rendin e ditës dhe pastaj kur të votohen kemi vend për të diskutuar për votën apo për profilin e kësaj vote. Deri në këtë moment nuk ka ndodhur asnjë gjë, kështu që besoj që ky spekulim daravitet këtu”, ka thënë ai.
Vasili nuk ka bërë asnjë koment nëse LSI do i votojë apo jo kandidaturat që tashmë janë të njohura. “Në momentin që do të kemi një ofertë do të shprehemi me votë, nuk paragjykojmë që tani”. 
Në linjë me shumë qëndrime të fundit të LSI, Vasili vazhdoi me distancimin nga dy partitë e mëdha, duke i kritikuar ato për shpërdorim të Parlamentit dhe kthimin e tij në studio televizive.
LSI vëren se Parlamenti po përjeton një klimë si në ikje, dhe kërkoi rikthimin e seriozitetit që i takon këtij institucioni. “Parlamenti i ngjan më shumë një studio televizive ku bëhet debati elektoral dhe nuk i ngjan një institucioni ligjvënës të vendit. Moskontrollimi i emocioneve paraelektorale ka bërë që të shpenzohen orë e orë të tëra në Parlament dhe të mos miratohen ligje të  cilat janë të rëndësishme për vendin”, është shprehur Vasili.
Gjithashtu nënkryetari i LSI-së bëri apel për kthimin në normalitet dhe disiplinim të rregullores së Kuvendit ku respekti i rendit të ditës mos të zëvendësohet nga debati i shterpë elektoral. “Është vërejtur se Parlamenti po jeton një klimë sikur është në ikje, dhe jo si institucion me rëndësi që duhet të kryejë punën me korrektesë dhe eficencë deri në ditën fundit. Ne bëjnë apel për kthim në normalitet dhe disiplinim të rregullores kur respekti i rendit të ditës mos të zëvendësohet nga debati elektoral. Debati elektoral ka vend, por ka të bëjë me ligjet e integrimit të gjithë pranuara nga opinioni publik dhe për të ecur në rrugën e integrimit në vend të deklaratave shterpë”, shtoi më tej Vasili.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›