E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushatë në dietë, ministrat marrin me qira makinat e tyre A

07/04/2011  Urdhri i kryeministrit ndalon përdorimin e çdo burimi shtetëror për zgjedhjet

Pas qeverisë në dietë kryeministri Berisha ka nxjerrë një tjetër urdhër: atë për një fushatë në dietë. Ky urdhër ndalon në mënyrë të prerë përdorimin e çdo lloj burimi të administratës shtetërore, qendrore, lokale e të çfarëdo lloji në funksion të fushatës elektorale. Ndërkohë që lejon përdorimin vetëm të fondeve që Kuvendi ka miratuar për partitë politike. Një ditë para çeljes zyrtarisht të fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit kreu i qeverisë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave publikoi risitë e kësaj fushate. “Së pari, për mazhorancën kjo do të jetë fushatë në dietë. Në fushatë elektorale nuk mund të ketë asnjë targë zyrtare përveç atyre të sigurisë dhe Gardës, që përmbushin detyra të tjera. Nga Kryeministri e çdo zyrtar tjetër në veprimtaritë e fushatës elektorale do të marrin pjesë me shpenzimet e partisë. Fondi që i është akorduar partisë do të ekonomizohet”, - theksoi kreu i qeverisë, duke nënvizuar se në këtë fushatë elektorale për zgjedhjet e 8 majit i pari do të jetë qytetari interesi i tij. Ai tha se mazhoranca shkon në këto zgjedhje me një qasje ndryshe. “Çdo fushatë është një fillim i ri, është një shans shumë i madh për politikanin dhe unë kam shumë kënaqësi që në këtë fushatë kemi këto risi të rëndësishme. Punonjësit me status civil duhet të respektojnë plotësisht statusin e tyre. Punonjësit e tjerë të administratës duhet të respektojnë plotësisht orarin zyrtar të tyre. Këto duhet të jenë kushtet”, - vijoi Berisha. Për zbatimin e këtij urdhri kryeministri porositi Policinë e Shteti që të bëjë kontrollet e domosdoshme për bllokimin e mjeteve të zyrtarëve, ndërsa Kontrollin e Lartë të Shtetit për përdorimin e fondet e fushatës. “Policia e Shtetit do të marrë urdhër të bllokojë çdo mjet zyrtar, të cilido zyrtari në fushatë. Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe të gjitha institucionet e kontrollit do të ftohen të bëjnë kontrolle të rrepat mbi të gjitha fondet, të cilat të mos mund të devijohen as nga pushteti qendror dhe as nga pushteti lokal drejt fushave të mitingjeve, stendave dhe shpenzimeve abuzive”, - porositi numri një i qeverisë. Lidhur me fondet ndaj partive sasia e tyre është e përcaktuar me ligj për çdo parti, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është autoriteti që kontrollon të gjitha shpenzimet në fushatë. Kjo ishte mbledhja e fundit e qeverisë para fushatës, e zhvilluar në oraret e paradites, pasi për shkak të angazhimeve elektorale qeveria do të vazhdojë funksionimin e saj me mbledhje të rregullta, por të spostuara nga ky orar.

Makina me qira

Të gjithë zyrtarët e lartë të pushtetit qendror dhe ata vendorë, duke nisur që nga kryeministri nuk do të përdorin automjetin e tyre për interes të fushatës, po nëse dëshirojnë do t’u duhet të paguajnë një qira mujore për to. Nisma është marrë nga vetë kryeministri Berisha, i cili, siç bëri me dije në mbledhjen e djeshme të qeverisë, tha se i ka marrë partisë me qira automjetin e tij. “Unë personalisht i kërkova partisë të marrë me qira mjetin tim të transportit, por kjo do të ndodhë edhe për secilin prej jush. Kështu që, zotërinj ministra, pjesëmarrja juaj në fushatë do të jetë vetëm me fondet e përcaktuara për partinë”, - tha ai në fjalën e tij. Ky vendim paraprihet nga një vendim tjetër i një rëndësie të jashtëzakonshme, me të cilin, siç tha Berisha, qeveria reduktoi mbi 3 mijë vetura publike personale në 34, pra vetëm për krerët e institucioneve kushtetuese, Drejtori i Policisë së Shtetit dhe për dy-tre raste të tjera.

Tragjedia, qeveria akordon 6,5 milionë lekë për dëmet e Gërdecit

Qeveria vendosi dje t’i akordojë bashkisë së Vorës fondin financiar shtesë prej 6 509 400 lekë për qiranë e shtëpive dhe tokës së dëmtuar nga tragjedia e Gërdecit. “Bashkisë së Vorës në buxhetin e vitit 2011 t’i akordohet fondi financiar shtesë prej 6 509 400 lekësh për dhënie ndihme financiare familjeve të dëmtuara nga aksidenti teknologjik i datës 15.03.2008 në fshatin Gërdec, për pagesën e qirave të banesave dhe të dëmeve të shkaktuara nga mospërdorimi i tokave e kulturave bujqësore që ndodhen brenda perimetrit 300 ml rreth kraterit, e shpallur zonë e sigurisë së lartë”, - thuhet në vendimin e qeverisë. Qeveria ka përcaktuar edhe listat e familjeve të bashkisë së Vorës së bashku me shumën përkatëse të kompensimit të dëmeve. Fondi i akorduar prej 6 509 400 lekësh do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Turizmi prioriteti i qeverisë

Zhurmat dhe ndotja, ndëshkim shkelësve të ligjit

Kryeministri Berisha kërkoi dje nga anëtarët e qeverisë të ndjekin nga afër përgatitjet për sezonin e ri turistik, duke kërkuar angazhim maksimal për mbetjet urbane, zhurmat dhe ndalim të derdhjes së ujërave të zeza në det. Për shkelësit e ligjit ai paralajmëroi masa ndëshkuese. Duke e trajtuar turizmin si një ndër çështjet kryesore, Berisha theksoi se këtë vit Shqipëria është shpallur destinacioni kryesor turistik dhe se qeveria duhet t’u përgjigjet me përgjegjësi atyre që do të zgjedhin Shqipërinë për pushimet e tyre. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme të fillojë që tani rishqyrtimi i të gjitha rregullave për mbrojtjen nga zhurmat. Nuk mund të ndodhë që njerëzit të mos flenë dot gjithë natën. Lutem të përcaktohet e të mos ketë më ankesa. Sot teknologjitë lejojnë të presësh valën e zërit aty ku do, por duhet të investosh për këtë, të blesh teknologjinë e jo të verbohesh pas fitimit e të lësh gjithë zonën pa gjumë”, - tha kryeministri për këtë çështje. Për sa i takon sistemit të kanalizimeve, ai i kërkoi Inspektoratit të Mjedisit dhe atij të Shëndetit Publik të ushtrojë kontrollin më të rreptë ndaj të gjitha hoteleve, moteleve në të gjithë zonën turistike. “Do të dylloset çdo hotel apo motel që për lehtësinë e tij ka hapur kanalin dhe i derdh në det ujërat e zeza”, - deklaroi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›