E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushë Arrëz, autobuzi bie në humnerë, 10 të vdekur

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në aksin rrugor Rrëshen-Fushë Arrëz ku një autobuz me pasagjerë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në humnerë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë fshatit Dom të komunës Gjergjan ku autobuzi i cili ishte nisur nga Durrësi drejt Fushë Arrëzit ka rënë nga 400-500 metra lartësi duke përfunduar në ujërat e lumit Fan.

Ndërkohë që konfirmohet se 10 persona kanë vdekur dhe 14 të tjerë janë plagosur rëndë.

Mësohet se Ministria e Shëndetësisë ka nisur në vendngjarje 18 ambulanca si dhe 2 helikopterë.
Mësohet se viktimat e aksidentit tragjik janë:

Adem Mustafa 50 vjeç

Arsen Marku 12 vjeç

Martina Lleshi 30 vjeçe

Mimoza Shani 30 vjeçe

Paulin Gjoni 22 vjeç

Alma Marku

Arbiola Marku

Tre viktima të tjerë, dy prej të cilëve në spitalin e Pukës dhe një në vendngjarje, ende nuk është arritur identifikimi i tyre.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka urdhëruar ngritjen e një shtabi emergjence për t'u ardhur në ndihmë të aksidentuarve. Drejt vendit të ngjarjes kanë udhëtuar kreu i policisë së shtetit, Hysni Burgaj, zv/ministri i Brendshëm, Avenir Peka si dhe forca të shumta të ndërhyrjes së shpejtë. Nuk dihen ende shkaqet e aksidentit.

Mësohet se tre nga të plagosurit e aksidentit rrugor kanë mbërritur në spitali Ushtarak në kryeqytet. Të plagosurit janë 2 burra dhe një fëmijë 3-vjeçar me inicialet E.K. dhe mësohet se gjendja e të plagosurve është e rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›