E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Arrëz, tragjedia shoi gjysmën e familjes Mustafa



FUSHE-ARREZ/ JONUZ HALLAçI

Dhimbja për humbjen e 14 personave dhe plagosjen e 12 të tjerëve ka pllakosur gjithë vendin të mbështjellë në zi, por më e rëndë pesha e dhimbjes e mortit është në 9 familjet e Bashkisë së Fushë Arrëzit dhe komunës së Gjegjanit. Familjet Marku, Gjoni, Dyzeni, Mustafa, Lleshi, Prenga, Gjergji, Paloka dhe Pera kanë hapur dyert për të pritur ngushëllimet dhe për të përcjellë për në banesën e fundit viktimat e aksidentit të ndodhur një ditë më parë në Gjegjan. Por kjo trefishohet në rastin e familjes Mustafa në qytetin e Fushë-Arrëzit. Kjo familje përcolli për në banesën e fundit Ademin 52-vjeçar, bashkëshorten Lavdien, 41 vjeçe dhe vajzën Edona 12 vjeçe. Ndërsa vajza tjetër Raisa Mustafa, ndodhet në gjendje të rëndë. Në Spitalin Ushtarak janë të plagosur dhe Mirsad Mustafa 4 vjeç e Armando Mustafa, 8 vjeç, ndërsa Mirlinda 15 vjeçe është jashtë rrezikut. Familja që kishte kaluar disa ditë pushimi në Plazhin e Durrësit u përgjysmua tragjikisht dhe në shtëpi nuk mbërriti asnjëri. Të mbijetuarit ndodhen në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Që nga larg dëgjohet kuja e korit masiv të grave që vajtojnë tre trupat e pajetë të shtrirë në tre arkivole në oborrin e shtëpisë. Shtëpia private e Mustafajve në periferi të Fushë-Arrëzit është e vogël për të përballuar dhimbjen, por mjaft e madhe në këtë ditë të trishtueshme për të, kur sheh se nga të katër anët vërshojnë karvanët me të afërm, por dhe të panjohur për t’iu gjendur pranë familjes në këto momente. Mes atyre që ngushëllojnë janë dhe kryeministri i vendit Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli si dhe deputetë e drejtues vendorë. Adem Mustafa, siç tregojnë familjarët e tij të afërm ishte teknik pyjesh dhe kishte punuar një jetë të tërë në sektorin e pyjeve si një specialist dhe njeri i nderuar, ndërkohë që bashkëshortja e tij Lavdija ishte e papunë. E gjithë familja ditën e tragjedisë po kthehej nga Durrësi. Në ballin e odës së pritjes qëndron vëllai i Ademit dhe kushëriri i parë i tij, Haki Mustafa, i cili është dhe kryetar i njësisë bashkiake të Laprakës në Tiranë. Vëllai i Ademit gjen kurajë dhe forcë që të falënderojë jo vetëm kreun e Qeverisë dhe autoritetet e tjera të ardhura nga Tirana, por dhe gjithë mysafirët që gjenden në shtëpinë e tij në këtë ditë të vështirë për të dhe të afërmit e tij. “Kishte shkuar bashkë me familjen për pushime në Durrës. E prisnim të kthehej, por kur morëm lajmin tragjik jemi tronditur pa masë. Shpresojmë që të plagosurit në Tiranë që janë fëmijë të vegjël të shpëtojnë”. Tashmë në këtë familje kanë mbetur vetëm katër fëmijët jetimë, tre prej të cilëve ndodhen të shtruar në repartin e urgjencës në Spitalin Ushtarak. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka deklaruar se shteti do t’u gjendet pranë këtyre fëmijëve dhe do të kujdeset për rritjen e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›