E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillet në banesën e fundit 15-vjeçari Gjovalin Peraj



Një tjetër tragjedi vajtohet në familjen Peraj, 15 km larg shtëpisë së Mustafajve, përgjatë rrugës nacionale Fushë Arrëz –Gjegjan dhe afër vendit ku ndodhi tragjedia. Lamtumira e fundit rreth orës 16:00 iu dha Gjovalin Perajt, 15 vjeç, djali i madh i familjes, kryefamiljari i së cilës kishte vdekur tre javë më parë duke prerë dru në pyll. Banesa e Perajve është një ndërtesë tipike e zonës, ndërtuar dekada më parë dhe gati në shkatërrim. Kjo familje ishte ndër më të varfrat në gjithë komunën e Gjegjanit në Pukë. Dy të moshuarat, halla dhe nëna e Gjinit sillen si kërcure në shtëpinë që është shkretuar edhe më tej nga tragjedia. Në spitalin ushtarak ndodhet dhe vëllai i tij Eriksoni 9-vjeçar, gjendja e të cilit është tepër e rëndë. Soni i vogël është i vetmi mashkull që ende jeton dhe që është shpresa e ripërtëritjes së familjes së Perajve. Dy plakat dhe dy vajzat e vogla presin shërimin e tij dhe të nënës që ndodhet në Spitalin Ushtarak, Flora Peraj, 38 vjeçe. Familja Peraj kishte shkuar për vizitë në Durrës te xhaxhai i Gjinit, Mark Peraj dhe po ktheheshin të shtunën në mesditë, duke hipur në autobusin e vdekjes. Banesa e familjes së Gjin Perajt është diku në shpatin e malit dhe nuk futet as makina. Banorët përcjellin në stafetë mbi krahë arkivolin për Gjovalinin 12-vjeçar. Familjet e fshatit mbijetojnë duke prerë dru dhe duke i shitur si dhe duke ruajtur bagëtitë kryesisht lopë dhe dhi. Edhe kryefamiljari humbi jetën pikërisht gjatë kohës kur po priste pemë për dru, trungu i njërës prej të cilave i ra sipër, duke i shkaktuar vdekjen. j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›