E Diel, 1 Nëntor 2026

Çifti Dyzeni, udhëtimi fatal për të marrë vajzën



KURBIN – çifti Prend dhe Mimoza Dyzeni, 38 dhe 29 vjeçe, ishin nisur me autobusin e tragjedisë për të marrë vajzën e madhe që ndodhej te gjyshërit në Shkozë të Pukës prej 1 jave. Me vete kishin dhe të voglën, Desarën, e cila ndodhet në Spitalin Ushtarak. Të afërm të çiftit Dyzeni, që i dha lamtumirën botës së të gjallëve në të njëjtën kohë, tregojnë se çifti ishte shumë i varfër. Ata kanë marrë përsipër të organizojnë ceremoninë mortore për të përcjellë me nderimet e duhura për në banesën e fundit Prendin dhe Mimozën. Familjarët e tyre e kanë mësuar lajmin pasi kanë dalë titrat e para në televizione. Një i afërm i viktimave, ndërsa pret e përcjell njerëzit që vijnë për ngushëllim tregon se, sapo e kanë mësuar se ç’kishte ndodhur i kanë telefonuar Prendit. “Zilja nuk binte. Kemi kontaktuar menjëherë me njerëzit e nuses së Prendit, ku na treguan se nuk kishin mbërritur dy bashkëshortët me fëmijët. Frika se njerëzit tanë ishin mes viktimave na çoi me urgjencë drejt Gjegjanit. Aty mësuam se viktimat e aksidentit kishin ardhur në spitalin e Pukës”. Vëllai i Prendit ka ndalur në spital, kur është përballur me viktimat e para që po dërgoheshin aty. Prendi ka qenë personi i pestë që ka mbërritur i pajetë. Më pas është transportuar dhe e shoqja, Mimoza. Ajo ndodhej në gjendje kome, por brenda pak minutash edhe ajo ka ndërruar jetë. E vetmja e mbijetuar e familjes është vajza e vogël, e cila prej mbrëmjes së të shtunës ndodhet në Spitalin Ushtarak, në gjendje kritike. Ndërsa e mitura nuk di asgjë për fatin e prindërve të saj, vajza e madhe, 10 vjeçe e ka kuptuar dhimbjen që ka pushtuar familjen e saj. I është bashkuar grupit të grave që vajtojnë të ëmën dhe të atin, duke qarë bashkë me ta. Paraditen e djeshme në ceremoninë mortore të çiftit Dyzeni ndodhej dhe ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha. Së bashku me drejtuesit e pushtetit vendor, Basha ka ngushëlluar familjen nga Kurbini. Bashkëshortët jetonin në një shtëpi private në lagjen 4 të Laçit. Që të dy ishin të papunë, ndërsa kanë lënë dy fëmijë të mitur, ku më e vogla e familjes po përballet mes jetës dhe vdekjes në spital. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›