E Shtunë, 31 Tetor 2026

SPIUNAZHI Kohët kanë ndryshuar

19/07/2010 Teknologjia dikur i ndihmonte spiunët. Tani i pengon

Në fakt, hallkat e munguara janë po aq të këqija sa edhe gabimet. Një numër telefoni celular i papërdorur është i dyshimtë (sidomos kur bëhet bashkë me karta të reja krediti dhe një adresë të re e-maili, por pa pasur një llogari në facebook). Një investigim që deri pak kohë më parë do të fuste në punë për disa javë një ekip oficerësh të kundërspiunazhit tani mund të kryhet vetëm me disa klikime të mausit

Në varësi të asaj se çfarë lloj spiuni je, ose e urren, ose e dashuron teknologjinë. Për grumbulluesit e informacioneve, puna e të cilëve bazohet në regjistrime dhe përgjime, jeta nuk ka qenë asnjëherë më mirë se sot. Aparatet e veckël fotografikë dhe regjistruesit ua kanë lënë vendin pajisjeve me madhësi sa një kokë gjilpëre, të telekomanduara nga larg (një problem i madh në kohët e vjetra ishte ndërrimi i baterive tek përgjuesit).

Komunikimi elektronik i enkriptuar është një shënjestër e mrekullueshme për kompjuterët shumë të mëdhenj në vende të tillë si për shembull Agjencia e Sigurisë Kombëtare në Amerikë. Edhe një mesazh që është koduar në mënyrë të pathyeshme me standardet e kohëve të sotme mund të çkodohet në të ardhmen. Kjo gjë u shkakton drithërima zyrtarëve që janë të vetëdijshëm për dobësitë e sigurisë.

Por të njëjtët përparime janë duke e bërë jetën shumë më të vështirë për ata lloj spiunësh që kanë të bëjnë më shumë me qenie njerëzore dhe jo me byte dhe kilobyte. Baza e mjeshtërisë së spiunazhit është të thyesh rregullat pa u vënë re. Ashtu si në rastin e rusëve që u arrestuan muajin që kaloi në Amerikë dhe që janë larguar tashmë nga vendi, kjo përfshin lëvizjen pa u vënë re nga askush dhe pa shkaktuar dyshime, zakonisht me identitete false, si dhe dorëzim dhe marrje parash në mënyra ta padallueshme. Për ata që kapen, pasojat mund të jenë katastrofike.

Dhimbjen më të madhe të kokës e shkaktojnë telefonat celularë. Për gjuetarët e spiunëve, këta janë pajisje ideale përgjimi dhe gjurmimi, të cilët shënjestra i mban përgjithësisht të ndezur. Por kjo i bën ata një rrezik për spiunët (dhe për terroristët, të cilët shpesh herë operojnë nën të njëjtët kufizime). Heqja e baterisë dhe vendosja e pjesëve në një frigorifer apo në një mbajtëse tjetër metalike e çaktivizon përgjuesin, por po në të njëjtën kohë shkakton dyshim. Nëse dy njerëz që janë duke u ndjekur marrin po këtë masë kur janë afërsisht në të njëjtën vendndodhje dhe në të njëjtën kohë, atëherë edhe vëzhguesi më i paaftë mund të kuptojë menjëherë se është duke u zhvilluar një takim i fshehtë.

Dikur, krijimi i identiteteve false ka qenë më i lehtë: një oficer i shërbimit të fshehtë që nisej me një detyrë mund të merrte një pasaportë me kapak të vjetërsuar, një portofol me disa karta krediti, një patentë shoferi dhe disa fotografi familjare. Në një botë të bazuar tek atomet, zbulimi i kësaj ishte shumë i vështirë.

Falë elektroneve, është e lehtë të shohësh nëse është e vërtetë “hija” e dyshimit mbi një vizitor. Vulat e vizave nga vende të tjera mund të verifikohen duke u vënë përballë të dhënave në kompjuterët e tyre të imigrimit. Një referencë kredie zbulon menjëherë se kur janë lëshuar kartat e kreditit dhe sa kohë janë përdorur ato. Thjeshtë me një kërkim në Google mund të verifikosh deklaratën se shënjestra ka punuar prej kohësh në një vend të caktuar. Të dhënat e faturave të telefonit celular zbulojnë kontaktet e mëhershëm (apo mungesën e tyre).

Në fakt, hallkat e munguara janë po aq të këqija sa edhe gabimet. Një numër telefoni celular i papërdorur është i dyshimtë (sidomos kur bëhet bashkë me karta të reja krediti dhe një adresë të re e-maili, por pa pasur një llogari në facebook). Një investigim që deri pak kohë më parë do të fuste në punë për disa javë një ekip oficerësh të kundërspiunazhit tani mund të kryhet vetëm me disa klikime të mausit.

Me përpjekje të mjaftueshme, disa identitete bindëse mund të mbahen gjallë, një industri e vogël në botën e spiunazhit merret me ruajtjen aktive të kartave të kreditit për punë klandestine. Por për spiunë seriozë, këto legjenda zbehen shumë më shpejt nga sa mund të krijohen.

Pasaportat biometrike janë duke i përkeqësuar gjërat. Nëse ke hyrë një herë si i huaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjurmët e gishtërinjve dhe ai emër janë të lidhura një herë e përgjithmonë në kompjuterët e qeverisë. Të dhënat mund të kontrollohen nga çdokush prej aleatëve të Amerikës. Sigurimi i pasaportës me certifikatën enjë fëmije të vdekur është diçka gjithnjë e më e rrezikshme, teksa regjistrat e popullsisë janë duke u kompjuterizuar. Vjedhja e një pasaporte turisti dhe ndërrimi i fotografisë (një taktikë që përdoret nga Mossad-i izraelit) nuk është më e lehtë: në të ardhmen, të dhënat biometrike në chip-in e pasaportës do të duhet të përputhen gjithashtu. Vetëm shtetet më të vendosura dhe me më shumë burime mund ta bëjnë këtë, dhe kostoja vazhdon të rritet.

Teknologjia krijon probleme të tjerë. Marrim për shembull hedhjen e një letre, ku një send mund të lihet diku pa krijuar dyshime dhe i sigurt që dikush do të vijë ta marrë. Oficerët e shërbimeve të fshehtë janë të stërvitur për ta pikasur këtë, në vende që janë të lehtë për tu vizituar dhe të vështirë për tu vëzhguar (cisterna dhe kosha plehrash në lavanderi publike, apo poshtë një zgare në një kishë, për shembull). Një herë e një kohë, monitorimi i vendeve të dyshimta ku hidheshin këto sende kërkonte punën e shumë njerëzve. Tani mund të bëhet në mënyrë të padukshme, nga larg dhe automatikisht. Herën tjetër që groposni një shishe birrë me para brenda saj në një park, duhet të mendoni se çfarë lloj kamerash dhe sensorësh janë fshehur në pemët aty pranë.

Kohët e “ilegales”, të të jetuarit në një vend të huaj me një identitet fals, por pothuajse të sigurt po marrin fund. Krerët e spiunazhit janë duke përdorur gjithnjë e më shumë “njerëz realë”: globalizimi po e bën gjithnjë e më të padallueshme për ata si Anna Chapman, një prej dhjetë rusëve që u dëbuan nga Amerika, që të studiojnë, martohen, punojnë dhe jetojnë në disa vende të ndryshëm. Ashtu si shumë profesione të tjerë dikur solidë, spiunazhi po shndërrohet në më pak se karrierë dhe më shumë si punë për njerëz të pavarur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›