Fushë-Bulqizë, bruceloza prek veterinerin e zonës
Komuna Fushë-Bulqizë, në rrethin e Bulqizës, ashtu si në vitin e kaluar edhe këtë vit është rikthyer në vatër infeksioni me sëmundjen e brucelozës. Vetëm para pak ditëve, në fshatin Dushaj të kësaj komune, u prek nga bruceloza veterineri i kësaj zone, Rrahman Alliu. Fillimisht pati këputje gjunjësh pafuqi dhe temperaturë shumë të lartë, tregon bashkëshortja e Rrahmanit, Hyre Alliu. Pasi u kurua për 5 ditë në spitalin e Bulqizës, mjekët e këtij spitali i thanë se dyshojnë për sëmundjen e brucelozës. Edhe në spitalin rajonal të Peshkopisë, mori të njëjtën përgjigje, gjë që e detyroi atë t’i drejtohet spitalit infektiv në Tiranë, ku u kurua për tri javë rresht. “Edhe sot që keni ardhur ju, Rrahmani ka shkuar në Tiranë për t’u vizituar dhe marrë ilaçe të cilat i vazhdon në kushtet e shtëpisë”, vijon të tregojë bashkëshortja e tij. Ndërkohë që sëmundja është konfirmuar, ende nuk është përcaktuar se ku e ka marrë infeksionin veterineri, pasi profesioni e ka detyruar atë të vizitojë bagëtitë që mbarështojnë fermerët në të gjithë zonën e kësaj komune. Bruceloza është një sëmundje e rrezikshme infektive e cila transmetohet nëpërmjet produkteve të qumështit nga bagëtitë te njerëzit, për çdo vit shfaqet në zona të ndryshme të rrethit të Bulqizës. Kështu, ndër zonat më të prekura përmendim fshatin Valikardhë në Komunën e Zerqanit, ku vetëm para tre vitesh u prekën nga kjo sëmundje të paktën 10 familje, fshatin Fushë-Bulqizë të po kësaj komune, fshatrat Bllacë, Homesh në Komunën e Shupenzës. Sipas specialistëve të veterinarisë, shkak i sëmundjes mbetet marrja e bagëtive, kryesisht deleve kontrabandë nga shteti fqinj i Maqedonisë, ku kjo sëmundje është evidente. Por edhe pse prevalenca e sëmundjes në rrethin e Bulqizës, vazhdon të jetë e lartë dhe e përsëritur për çdo vit, asnjëherë nuk është bërë vaksinimi i bagëtive në shkallë rrethi. Sipas specialistëve veterinerë, kjo ka ndodhur për mungesë fondesh nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.
#