E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Krujë, 1200 nxënës pa shkollë, peng të rikonstruksionit

Më shumë se 1150 nxënës të shkollës 9-vjeçare po futen në javën e tretë që nuk po zhvillojnë mësim.Arsyeja që në këtë shkollë nuk ka nisur ende mësimi është fakti se godina po mbahet "peng" nga punimet, pasi ajo ende nuk është rindërtuar. 

FUSHE KRUJE-Më shumë se 1150 nxënës të shkollës 9-vjeçare po futen në javën e tretë që nuk po zhvillojnë mësim.Arsyeja që në këtë shkollë nuk ka nisur ende mësimi është fakti se godina po mbahet "peng" nga punimet, pasi ajo ende nuk është rindërtuar. Firma e cila po kryen punimet duhet të kishte përfunduar rikonstruksionin e kësaj shkolle para datës 15 shtator, kur nisi dhe ky vit shkollor. Prindërit janë të shqetësuar për ecurinë e fëmijëve të tyre gjatë vitit shkollor, duke qenë se ka ndryshuar edhe sistemi arsimor. "E kam vajzën në klasë të 9-të. Është një vit shumë i vështirë për të, pasi po aplikohet për herë të parë, por ndërkohë që mësimi ka nisur në 15 shtator për gjithë vendin, fëmijët tanë nuk kanë zhvilluar asnjë orë mësimi dhe nuk e dimë se kur do nisin të zhvillojnë orët e mësimit. Na kanë thënë vetëm se kur të fillojë do zhvillojnë mësim dhe të shtunave, po është e nevojshme dhe të dielave. Por kjo mbingarkesë do jetë në disavantazh të fëmijëve", - ka sqaruar një prej prindërve që ka fëmijën në këtë shkollë. Sipas prindërve të tjerë, kjo që po ndodh me fëmijët e tyre është absurde, pasi mësuesit marrin rrogat dhe pa zhvilluar mësimin, ndërkohë fëmijët e tyre rrinë në shtëpi. Gjithashtu, ata sqarojnë se askush nuk u ka thënë një datë të saktë se kur vogëlushët e tyre do të fillojnë mësimin normalisht, dhe se deri tani askush nuk i ka kërkuar asnjë llogari firmës e cila po kryen punimet në këtë shkollë. "Drejtoria Arsimore duhet të kishte marrë masa që t`i kishin shpërndarë fëmijët në shkolla të tjera deri sa të përfundonin punimet, dhe jo të na i lënë fëmijët pa mësim", -sqarojnë prindërit. Në këtë shkollë janë të regjistruar 1150 nxënës, stafi akademik është prej 59 mësuesish, me një drejtor dhe 3 nëndrejtorë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›