Një nga avokatët e Fazlliç, ish prokuror federal në SHBA
Një nga avokatët që ka marrë përsipër mbrojtjen e Damir Fazlliç, është një nga ish-prokurorët federalë të Amerikës. Eduard Ross, që ka mbërritur pak ditë më parë në Tiranë, ka shërbyer për 20 vjet si Prokuror Federal dhe tani mbron korporatat përballë hetimeve qeveritare. Ndërkohë dje dy avokatët e serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, i kanë cilësuar të pabaza akuzat ndaj klientit të tyre dhe i kanë kërkuar politikës shqiptare që të qëndrojë larg çështjes “Fazlliç”. Në konferencën e parë zyrtare për shtyp, mbrojtësit e mbërritur nga Uashingtoni janë përqendruar më shumë në efektin që ka dhënë tek klienti i tyre përfshirja e politikës.
Deklarata
Eduard Ross dhe Andrew Cocoran, nëpërmjet një deklaratë shumë të shkurtër për shtypin, kanë lëshuar vetëm sinjalet e para se, sipas tyre, politika ka influencuar rëndë dhe i ka dhënë shtysë medias për akuzat ndaj Damir Fazlliç. Ata janë shprehur se kanë filluar nga puna për mbrojtjen e klientit të tyre, duke mbledhur informacionet e para.
“Kemi ardhur në Shqipëri për t’i shqyrtuar këto akuza, të cilat zoti Fazlliç i ka marrë me shumë seriozitet. Gjatë katër ditëve të fundit, ne kemi mbledhur dokumente të nevojshme, kemi intervistuar disa persona dhe jemi takuar me një sërë individësh”, - thuhej në deklaratën për shtyp.
Gjithashtu, Ross dhe Cocoran kanë vlerësuar prokurorët e caktuar për çështjen “Fazlliç”. “Na u dha gjithashtu mundësia për t’u takuar këtu në Tiranë me prokurorët e caktuar, për të hetuar akuzat e publikuara nga media shqiptare. Krijuam mendimin se prokurorët janë të sjellshëm dhe profesionistë dhe ata na siguruan se hetimi do të zhvillohet në mënyrë të paanshme, objektive dhe të shpejtë dhe se do të vendoset duke u bazuar vetëm mbi faktet. Kemi besim se prokurorët do të veprojnë me ndershmëri dhe do t’u përmbahen detyrimeve profesionale”, -shtuan avokatët mbrojtës të serbo-boshnjakut.
Për përfaqësuesit e firmës ndërkombëtare ligjore, akuzat lidhur me transfertën bankare prej 1.7 milion eurosh që Fazlliç ka bërë nga një kompani e tij në një tjetër kompani dhe ajo në lidhje me blerjen e tokës bujqësore në Porto-Romano, janë të pabaza dhe të motivuara politikisht. Të dy mbrojtësit ligjorë të biznesmenit serbo-boshnjak mbërritën në Tiranë para tri ditësh.
Më 9 tetor, Prokuroria deklaroi se ka nisur hetim për pastrim parash ndaj serbo-boshnjakut.
Avokatët
Pas fillimi të hetimeve nga ana e Prokurorisë së Tiranës, Fazlliç ka reaguar menjëherë, duke sjellë në Shqipëri nga Uashingtoni dy avokatët e tij. Njëri prej të cilëve rezulton se për 20 vjet ka punuar si Prokuror Federal në SHBA dhe ka përfaqësuar shtetin kundër kompanive apo të akuzuarve të tjerë. Tani ai bën kryesisht mbrojtje të kompanive kundër shtetit në istancat më të larta të drejtësisë amerikane. Avokatët e Fazlliç kanë nisur menjëherë nga puna, duke mbledhur informacionet e dokumentet e para dhe kanë intervistuar disa njerëz në lidhje me këtë çështje. Gjithashtu, në programin e tyre ka qenë edhe takimi me prokurorët e çështjes së klientit të tyre, të cilëve u kanë kërkuar një hetim korrekt. Në daljen e parë, qëndrimi i juristëve amerikanë, Eduard Ross dhe Andrew Cocoran, ka qenë që akuzat e bëra ndaj klientit të tyre kanë qenë të pabaza dhe gjithashtu ndërhyrja e politikës ka ndikuar negativisht ndaj imazhit të serbo-boshnjakut.
Mbërritja e avokatëve, para tri ditëve
Pas fillimit të hetimeve nga ana e prokurorisë së Tiranës, serbo-boshnjaku Damir Fazlliç dërgoi në Tiranë dy avokatët e tij. Ata mbërritën në kryeqytet para tri ditësh. Menjëherë pasi kanë mbërritur në Tiranë, ata kanë shkuar në Prokurori dhe kanë marrë kontakt me prokurorët e çështjes “Fazliç”. Ata janë pritur për rreth 30 minuta nga njëri prej prokurorëve të çështjes, Dritan Rreshka, të cilit i kanë dorëzuar prokurën e përfaqësimit të lëshuar nga klienti i tyre, Fazlliç, duke kërkuar legjitimimin si mbrojtës ligjorë të tij. Por, një gjë e tillë nuk u pranua nga prokurori Rreshka, përveçse për avokatin shqiptar Gjokutaj, pasi janë avokatë të huaj dhe legjislacioni shqiptar nuk e lejon mbrojtjen me avokatë të huaj. Në përfundim të takimit disaminutësh, tre avokatët mbrojtës së biznesmenit Fazlliç nuk kanë preferuar të komentojnë praninë e tyre në Prokurorinë e Tiranës, duke u larguar menjëherë nga këto ambiente dhe shmangur kontaktin me median e pranishme qysh në momentet e para të mbërritjes së tyre. Ata u larguan sërish me makinë X5, ngjyrë gri, me të me targa të huaja HAL TP 293. Nga burime të besueshme mësohet se në bazë të legjislacionit shqiptar, dy avokatët e mbërritur nga Amerika për të mbrojtur interesat e Fazlliç, i akuzuar për “pastrim parash” nga organi i akuzës, nuk mund ta mbrojnë klientin e tyre nëse nuk janë të regjistruar në Dhomën Kombëtare të Avokatisë në Shqipëri. Megjithatë, në grupin e avokatëve ndodhet edhe një avokat shqiptar, Genc Gjokutaj, i cili është pajisur nga biznesmeni serbo-boshnjak me një prokurë të posaçme për të mbrojtur interesat e tij lidhur me akuzën që i është ngritur nga prokurorët e strukturës Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, Dritan Rreshka dhe Besnik Cani. Hetimet për biznesmenin Fazlliç kanë nisur dy javë më parë nga njësia Task-Forcë, ndërkohë që kanë vënë nën sekuestro konservative kompanitë e serbo-boshnjakut, që jeton dhe drejton kompanitë e tij në Ballkan e SHBA nga Londra.
Akuzat ndaj Fazllit
Më 9 tetor prokuroria deklaroi se ka nisur hetim për pastrim parash ndaj serbo-boshnjakut Damir Fazlliç. Avokatët amerikanë do të duhet të mbrojnë klientin e tyre në lidhje me transfertën bankare prej 1.7 milion eurosh, që Fazlliç ka bërë nga një kompani e tij në një tjetër kompani po në pronë të tij. Gjithashtu, në media u publikuan dokumente, të cilat tregonin se Fazlliç ka blerë një tokë bujqësore në Porto-Romano, për të cilën nuk jepen fondet me të cilat e ka blerë. Kjo tokë më pas u përcaktua si vend për t’u ngritur një park energjetik.
Fazlliç: Akuzat ndaj meje, të pabaza
Në një intervistë të dhënë për emisionin “Opinion”, Damir Fazlliç ka folur për akuzat e bëra ndaj tij në lidhje me pastrimin e parave. Sipas serbo-boshnjakut, nuk mund të konsiderohet si pastrim parash manovra për shitjen e kompanisë “Croën Aquisition” vetvetes. “Ftoj çdo gazetar tjetër të shkojë në Zyrën e Tatimeve dhe të shohë se çfarë zotëron kjo kompani në pasuri të patundshme. E bëra vetë. I kërkova dikujt që të shkojë fizikisht në zyrën e taksave dhe të kërkojë bilancin. Do ta shihni se bilanci i kësaj kompanie reflekton saktësisht 1.7 milion euro shumë, për të cilën u shit tek kompania mëmë, me qëllim zhvillimin e tokës. Kur ta shes këtë kompani, “Croën Acquisition”, dikur në të ardhmen, nëse planet që kam ndërtuar shkojnë mirë dhe nuk kam arsye për të dyshuar, do ta shes, le të shpresojmë, për shumë më tepër para. Dhe atëherë do të jem në gjendje t’i paguaj shtetit taksën për diferencën”, - është shprehur Fazlliç. Pyetjes për pagesën e taksave ai i është përgjigjur “Absolutisht po. Të gjitha taksat përkatëse për blerjen e tokës dhe të gjitha transaksionet në kompanitë e mia janë të realizuara”. Në lidhje me akuzat për favorizim nga ana e shtetit, si pasojë e miqësisë së tij me Kryeministrin Berisha, reagimi i serbo-boshnjakut ka qenë: “Besoj se administrata dhe qeveria shqiptare ndihmon çdo investitor të huaj që vjen këtu. Por unë, i favorizuar nga Kryeministri? Absolutisht jo”.