E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Krujë, shpërthim në një servis celularësh

Shpërthimi i një sasie lëndësh plasëse në qytetin e Fushë-Krujës ka tronditur banorët e tij në orët e para të ditës së djeshme, ndërsa autorët dhe motivet kanë mbetur ende mister. Lënda eksplozive ishte vendosur në një dyqan të tregtimit dhe riparimit të aparateve të telefonisë celulare të qytetit të Fushë-Krujës. Për shkak të shpërthimit në një orë të vonë të natës, veprimet e para hetimore, sipas burimeve zyrtare policore, janë kryer gjatë mëngjesit të djeshëm. Burimet zyrtare të policisë saktësuan se shpërthimi ndodhi në orë 01:45 të mëngjesit të ditës së djeshme. Si rezultat është dëmtuar dyqani i tregtimit të telefonave celularë, i cili është në pronësi të shtetasit M.Z., si dhe një pikë e "Western Union", që ndodhet ngjitur me të. Nga veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se lënda eksplozive e përdorur është e përgatitur në mënyrë artizanale dhe bazuar në intensitetin e shpërthimit dhe dëmit të shkaktuar prej tij, rezulton se ajo është përdorur në sasi të vogël. Burimet policore bënë të ditur se si pasojë e shpërthimit është dëmtuar qepeni, e gjithë hyrja e xhamtë e këtij dyqani, si dhe pjesërisht reklama e njësisë "Western Union", që ndodhet në krah të tij.

Gjithashtu nga shpërthimi janë lëkundur edhe disa banesa pranë, por pa pasur pasoja të dukshme. Përtej tyre, banorët e zonës ku ndodhi ngjarja janë tronditur shumë nga shpërthimi dhe pasiguria për jetën që përçojnë ndodhi të tilla në komunitet. Nga burime të policisë lokale mësohet po hetohet në disa pista për të zbuluar autorët e këtij shpërthimi. Sasia e përdorur e lëndës plasëse, sipas burimeve nga grupi hetimor, është tregues i dhënies së një paralajmërimi ndaj pronarit të dyqanit. Kryesisht hetimet janë përqendruar te ndonjë konflikt i mundshëm i pronarit të servisit të telefonave celularë, por edhe te konkurrenca në këtë lloj tregtie dhe shërbimi. Burimet thanë se në rastet e shpërthimeve zbardhja e ngjarjes është e vështirë, për shkak se mungojnë provat materiale që të mbështesin akuzat ndaj personave konkretë. Megjithatë, nën drejtimin e prokurorisë së rrethit po vazhdon puna për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore, si dhe identifikimin e autorit dhe motiveve të kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›