Greva në Greqi bllokon Kakavijën
Krejt papritur dhe pakujtuar është bllokuar dje paradite për disa orë lëvizja e njerëzve që udhëtonin nga Shqipëria për në Greqi në Doganën e Kakavijës, e cila është pika më e madhe e kalimit kufitar mes dy vendeve.
Radhët e pritjes së autoveturave përfshinë hapësirat nga sportelet e doganës greke, deri në vijën ndarëse të kufirit mes dy vendeve, ndërkohë radha vazhdonte edhe në territorin shqiptar nga sportelet e kryerjes së procedurave nga ana e policisë shqiptare e deri në pikën e karburanti "EKO", në një gjatësi afro 2 kilometra.
Sipas autoriteteve të policisë kufitare shqiptare, shkaqet e bllokimit të lëvizjes dhe të krijimit të radhëve të gjata të pritjes në Kakavijë, kanë ardhur nga pala greke, pasi ritmet e kryerjes së procedurave të kalimit ishin mjaft të ulëta për shkak të ndërprerjes rreth orës 10:00 të paradites të furnizimit me energji elektrike të mjediseve të doganës.
Mësohet se mungesa e energjisë elektrike erdhi si pasojë e zhvillimit të grevës së sindikatave greke të punonjësve të sistemit elektrik, por sidoqoftë ndërprerja e saj shkaktoi bllokimin e funksionimit të sistemit kompjuterik dhe më tej edhe bllokimin e lëvizjes.
Përveç bllokimit nga ndërprerja e energjisë elektrike, rikthimi i papritur i radhëve të gjata në Kakavijë, sipas zëdhënësit të shtypit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Gentian Mullai, kishte edhe dy shkaqe të tjera. Së pari, dje ka pasur një rritje të fluksit të lëvizjes në Kakavijë, për shkak të zhvillimit një ditë më parë të festës së karnavaleve në zonat jugore të banuara nga popullsia e minoritetit etnik grek. Ndërkohë, kanë ardhur nga Greqia në Shqipëri një numër i madh emigrantësh nga këto zona edhe për shkak të fillimit të kreshmës, para festës së Pashkëve ortodokse. "Festa e karnavaleve në Dropull dhe në disa zona të tjera të minoritetit grek dhe fillimi i kreshmës para festës së Pashkëve ortodokse sollën gjatë kësaj fundjave një numër më të madh emigrantësh dhe kjo ardhje u reflektua në rritjen e fluksit të kalimit nga Shqipëria në Greqi gjatë ditës së hënë, kur në kompjuterët e Doganës së Kakavijës janë regjistruar rreth 2500 kalimtarë më shumë se në një ditë të zakonshme", tha zëdhënësi i policisë.
Lëvizja e udhëtarëve u vështirësua sidomos rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, kur radha e pritjes arriti në një gjatësi të përgjithshme rreth dy kilometra në të dyja anët e kufirit, por vështirësia e lëvizjes u shtri edhe në orët e pasdites, gjatë kohës së ndërrimit të turneve, deri në orën 15:30, pasi për shkak të festës fetare në Greqi, pala greke punonte vetëm me dy sportele dhe me efektiv të kufizuar.
Situata e lëvizjes në Kakavijë u normalizua plotësisht rreth orës 16:00, kur në mjediset e doganave respektive shqiptare dhe greke nuk kishte pothuajse asnjë automjet në pritje.