Travestiti i vrarë me thikë, dyshohet “kolegu” i tij
Vrasja e travestitit 38-vjeçar të ndodhur dy ditë më parë në qendër të Tiranës, dyshohet se është kryer nga një “koleg” i tij me origjinë nga Kosova. Sipas burimeve nga policia e kryeqytetit, ata kanë arritur që të identifikojnë autorin e krimit dhe po punojnë për ndalimin e tij. Agresori e ka qëlluar viktimën me thikë në fyt, duke i shkaktuar atij vdekjen pas disa minutash si pasojë e humbjes së gjakut. Sipas policisë, autori i krimit ishte pjesë e grupit të travestitëve të cilët punonin e qëndronin së bashku në rrugët e kryeqytetit në kërkim të klientëve. Dyshohet se shkaku i kësaj ngjarjeje ka qenë një sherr banal midis viktimës dhe autorit, ndërkohë që agjentët po punojnë për ndalimin e vrasësit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të shtunës. Kalimtarët e rastit në rrugën “Abdi Toptani” përballë hyrjes së drejtorisë së burgjeve kanë parë një person i cili kërkonte ndihmë. Ai mbante dorën në fyt, ndërsa shikohej që ishte i gjakosur. Ai është afruar tek roja i Drejtorisë së Burgjeve për të kërkuar ndihmë, ndërkohë që është raportuar për në Spitalin Ushtarak. Por, si pasojë e humbjes së madhe të gjakut, viktima ka humbur jetën gjatë rrugës. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia, e cila ngriti një grup hetimor. Në fillim u mendua se viktima është një femër, por më pas u njoftua se viktima ishte e seksit mashkull e moshës 38-vjeçare. Sipas burimeve nga policia, viktima ishte një travestit (person me devijime seksuale) që thirrej me nofkën “Kristina”.
Identiteti i viktimës ishte Petrit Lucaj, 38 vjeç nga Elbasani, i cili prej disa vitesh jetonte në Tiranë. Sipas dëshmitarëve, viktima së bashku me travestitë të tjerë lëviznin shpesh në atë zonë, në kërkim të klientëve.
Viktima ishte arrestuar disa herë nga policia për vepra të turpshme në publik, kryerje të marrëdhënieve seksuale apo homoseksuale, por ishte akuzuar edhe për kryerjen e veprave penale të vjedhjes, denoncuar kryesisht nga klientë të grupit të travestitëve që gjenden pas Pallatit të Kulturës. Pas ngjarjes policia kreu këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që shoqëroi në komisariat dëshmitarë që kishin dijeni për vrasjen. Nga dëshmitë e marra rezultoi se autori i krimit ka qenë një person, i cili e ka qëlluar viktimën me një mjet të mprehtë në fyt, duke e dëmtuar rëndë atë dhe duke i shkaktuar më pas vdekjen. Trupi i viktimës u shoqërua në morg, për t’u kryer autopsia.
Reagon Aleanca Kundër Diskriminimit: Të zbardhet ngjarja
Aleanca Kundër Diskriminimit (AKD) në një deklaratë për shtyp shprehet e tronditur për lajmin e vrasjes së një travestiti në mbrëmjen e së shtunës në qendër të Tiranës.
“Ne kërkojmë zbardhjen e plotë dhe sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje që ndodh mu në sytë e policisë, mu në zemër të kryeqytetit”, - thuhet në një njoftim për shtyp.
Sipas AKD-së, kjo është një ngjarje që duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë për faktin se sa paturpësisht shkelen të drejtat e njeriut dhe se sa pa vlerë trajtohet jeta njerëzore në Shqipëri. AKD i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të viktimës dhe kërkon gjetjen dhe vënien para drejtësisë të autorit.
Sipas AKD-së komuniteti i travestitëve në Tiranë bashkëjeton në mënyrë të organizuar për të siguruar jetesën e vetëmbrojtjen dhe nuk ka nevojë as për tutor dhe as për konkurrencë.