Fushë-Krujë,rrëzohet autoboti me naftë, vdes shoferi

Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur dy orë pas mesnate në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë. Një autobot me targa të Kosovës, 01486 BO është përplasur me bordurën e rrugës duke shkaktuar vdekjen e drejtuesit të mjetit Spiro Kumaraku, 64 vjeç nga Ura Vajgurore.
Autoboti transportonte naftë bruto, por përplasja ka qenë aq e fuqishme sa kabina e makinës ka dalë nga ura ndërsa botet me naftë janë rrëzuar duke bllokuar tërësisht rrugën e Gjolës. Policia, autoambulanca dhe zjarrëfiksja mbërritën menjëherë në vendngjarje për t`i dhënë ndihmën e parë drejtuesit të mjetit, por ishte shumë vonë.
Aksidenti ka shkaktuar edhe trafik duke bllokuar për disa orë aksin rrugorë Fushë Krujë - Vorë, ndërsa nafta që ndodhej në çisternë është përhapur në të gjithë rrugën. Policia ka mbërritur në vendgjarje dhe po heton mbi aksidentin e ndodhur.