Ambasada e SHBA uron Nishanin: Të punojmë për ligjin
Tiranë – Edhe pse ambasadori i Shteteve të Bashkuara nuk ishte i pranishëm në llozhën e parlamentit në momentin kur votohej presidenti I ri Bujar Nishani, ambasada amerikane nuk ka vonuar të urojë zotuin Nishani për zgjedhjen dhe ti ofrojë atij bashkëpunimin për forcimin e sundimit të ligjit.
Ambasada e SHBA i përcjell urime të ngrohta Z. Bujar Nishani për zgjedhjen e tij sot si President i Republikës së Shqipërisë. Në postin e tij aktual dhe ato të mëparshme qeveritare, Z. Nishani ka shërbyer në mënyrë të respektueshme dhe të përgëzueshme, si dhe ka bërë shumë për të çuar përpara marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Shtetet e Bashkuara i urojnë suksese Z. Nishani dhe presin me kënaqësi të punojnë me të për të çuar përpara arritjet demokratike të fituara gjatë 21 viteve të shkuara. Në veçanti, do të mbështesim përpjekjet e tij për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të ruajtur pavarësinë e institucioneve të Shqipërisë, dhe, së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, për të realizuar aspiratat legjitime të popullit shqiptar për ta parë vendin të marrë vendin që i takon si një anëtar i integruar plotësisht në bashkësinë euro-atlantike – thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA në Tiranë.