Vdesin dymbëdhjetë ushtarë

Zyrtarët e NATO’s në Afganistan njoftuan të premten se, si pasojë e rrëzimit të një helikopteri ushtarak të Turqisë, afër Kabulit, kanë humbur jetën 12 ushtarë.
Sipas zyrtarëve, rezulton se që të dymbëdhjetë ushtarët e vdekur të jenë ushtarë të forcave turke.
Sipas deklaratave zyrtare të zyrtarëve të ISAF, të paktën dy ushtarë kanë humbur jetën në tokë, pasi që helikopteri kishte rënë mbi një shtëpi në qytetin Bagram, afër Kabulit.
Ende nuk është i qartë se cili ishte shkaku i përplasjes së helikopterit, megjithëse, sipas REL, zyrtarët e NATO’s deklaruan se prapa rrëzimit, sipas të gjitha gjasave qëndron ndonjë “problem teknik”.
Ndryshe, në kuadër të forcave ushtarake ndërkombëtare (ISAF), të cilat udhëhiqen nga NATO, Turqia ka më tepër se 1,800 ushtarë të stacionuar në Afganistan.
Është kjo humbja më e madhe e forcave ushtarake turke që prej përfshirjes së tyre në Afganistan, para dhjetë viteve.