E Diel, 1 Nëntor 2026

Futboll, Egar Cani huazohet tek Piacenza

TIRANë- Sulmuesi shqiptar që luan prej disa vitesh në Itali, Edgar Cani, është huazuar tek skuadra e Serisë B italiane, Piacenza, për pjesën e mbetur të sezonit. Lajmi është bërë i ditur nga skuadra e Palermos, e cila ka kartonin e lojtarit shqiptar. Në faqen zyrtar të Palermos shkruhej se “Palermo ka dhënë për huazim deri në fund të sezonit sulmuesin Edgar Cani tek skuadra e Piacenzës". Në pjesën e parë të këtij sezoni Cani u aktivizua me skuadrën e Padovas në Serinë B italiane. Sipas skuadrës së Palermos, "marrëveshja është arritur pas shumë bisedimesh, ku insistimi i skuadrës së Piacenzës ka siguruar huazimin e futbollistit shqiptar Edgar Cani”. Sulmuesi pritet që të aktivizohet si titullar nga drejtuesit e ekipit. Nëse paraqitja e tij do të jetë dinjitoze, klubi do të fillojë negociatat me Palermon për të blerë kartonin e lojtarit. I lindur në Shqipëri, por i rritur në Itali, në qytetin Pieve, në provincën e Peruxhias, Cani u vu re fillimisht nga një menaxher i Peskarës, por për arsye se ishte një ekstrakomunitar, Peskara e kaloi në formë huazimi tek ekipi i të rinjve Torre Alex. Më pas Cani u fut në ekipin e të rinjve të Peskarës. Për herë të parë luajti në Serinë B me Peskarën në sezonin 2006-2007. Në gjysmën e atij sezoni trokitën tek Peskara skuadra si Interi, Sampdoria, Palermo dhe anglezet Mançester City dhe Manchester United, por në fund qe Palermo ajo që arriti të marrë shërbimet e talentit shqiptar. Debutimin në Serinë A, Edgar Cani e bëri në 28 prill 2008 gjatë sfidës Palermo – Atalanta (0-0), duke hyrë në minutat e fundit të ndeshjes. Në 17 korrik Palermo e huazon tek skuadra e Askolit në Serinë B, ku zhvillon 24 ndeshje dhe shënon 4 gola. Këtë verë Cani u huazua tek skuadra e Padovas në Serinë B, ku shënoi dy gola Futbollisti 20 vjeçar shqiptar, Edgar Cani, është një nga lojtarët e rinj më premtues në futbollin italian dhe është një nga kandidatët kryesorë për të veshur një fanelë të Kombëtares shqiptare të futbollit. Pas përfundimit të eliminatoreve të Botërorit, ekipi Kombëtar duhet rinovuar dhe për trajnerin kroat Josip Kuzhe, Cani mund të jetë një nga kandidaturat kryesore në sulm. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›