Skafet bllokohen edhe për tre vjet të tjera
Komisioni parlamentar i Sigurisë miratoi sot projektligjin "Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Shqipërisë", i cili do të zbatohet edhe për një periudhë 3-vjeçare. Moratoriumi për skafet u iniciua nga qeveria në vitin 2006, pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike me qëllim, luftën pa kompromis kundër krimit dhe trafiqeve ilegale. Pas tre vjetësh, me skadimin e afatit fillestar në vijim të politikës së saj për zero tolerancë ndaj krimit të organizuar qeveria vendosi t'a zbatojë edhe për tre vjet të tjerë këtë ligj. Drafti parashikon që gjatë tre viteve të ardhshëm të ndalohet qarkullimi i mjeteve motorike lundruese shqiptare në ujërat territoriale dhe të brendshme të Republikës së Shqipërisë. Sipas moratoriumit, shkeljet kur nuk përbëjnë vepër penale përbëjnë kundërvajtje administrative dhe kundërvajtësi dënohet me gjobë, në masën 800.000-1. 000.000 lekë dhe me konfiskim të mjetit. Përjashtohen nga ky moratorium mjetet motorike lundruese, në përdorim të organeve shtetërore dhe të shërbimeve portuale, mjetet e destinuara vetëm për peshkim, mjetet e transportit detar që shërbejnë për transportin e mallrave, si dhe mjetet e transportit detar, të licencuara për transport pasagjerësh dhe të klasifikuara nga Regjistri Detar Shqiptar si mjete lundruese për transport udhëtarësh.