Intensifikimi i marrëdhënieve më Gjermaninë
Kreu i Shtetit, duke vlerësuar marrëdhëniet e konsoliduara dypalëshe mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, nënvizoi faktin se "tashmë ka nevojë që të zgjerohen edhe marrëdhëniet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve". Presidenti Topi shprehu mirënjohje për ndihmën e vazhdueshme të dhënë nga shteti gjerman gjatë viteve të tranzicionit demokratik në Shqipëri. Përfaqësuesi i Fondacionit “Konrad Adenauer”, z. Frener, parashtroi disa nga objektivat e Fondacionit në Shqipëri, të cilat do të shtrihen në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-gjermane, në fushën e politikës dhe rritjes së kulturës demokratike, bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, shkëmbimet kulturore, arsimore, etj.Duke shprehur mbështetjen e plotë për aspiratat integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ai theksoi faktin që hyrja e vendit tonë në gjirin e familjes së madhe evropiane nuk ka asnjë dyshim, por është thjesht çështje kohe. Fondacioni "Konrad Adenauer" është themeluar në vitin 1956 dhe mban emrin e kancelarit të parë gjerman. Ky është një fondacion politik, i cili i qëndron pranë Unionit Kristian Demokrat te Gjermanisë. Konrad Adenauer (1876-1967), si bashkëthemelues i Unionit Kristian Demokrat dhe kancelar i parë i Republikës Federale Gjermane, bashkoi traditat kristiane, sociale, konservative me ato liberale.