E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futboll, Lorik Cana, pjesë e historisë së Sandërlendit

TIRANË- Megjithëse skuadra e Sandërlendit ka humbur në ndeshjen e djeshme përballë Fulhamit 1-0, kapiteni shqiptar, Lorik Cana, kërkon të bëhet pjesë e historisë së Sandërlendit. Mesfushori i Kombëtares shqiptare kërkon që loja e tij luftarake të bëhet shembull edhe për shokët e skuadrës.
Pasi është shndërruar shumë shpejt një prej personazheve kryesorë të klubit, tashmë Lorik Cana synon të shkruajë një kapitull të ri në historinë e Sandërlendit. Gjatë kohës kur nuk është i impenjuar në fushat e lojës, mesfushori shqiptar preferon të shëtisë rreth kështjellave dhe ndërtesave madhështore të verilindjes së Anglisë.
"Gjithmonë mund të mësosh diçka nga e kaluara. Kjo e shpjegon pasionin tim për të lexuar rreth historisë. Sandërlendi është një skuadër, e cila ka fituar disa tituj në fillimet e tij, por prej asaj kohe ka vuajtur, duke luftuar për të mbijetuar. Aktualisht mendoj se detyra kryesore është që të ndryshojmë mentalitetin e klubit dhe të gjithkujt në qytet", deklaroi Cana për "Daily Express".
"Kjo është një epokë e re, ku aktorët kryesorë janë lojtarët. Kemi një trajner të ri dhe një skuadër cilësore, të gjithë besojmë se mund të bëjmë gjëra të mira. Përpara një muaji takuam ish-futbollistët e Sandërlendit, që kishin fituar trofeun FA Cup në vitin 1973 dhe ata na treguan shumë gjëra rreth klubit. Kjo është një skuadër e madhe, por që nuk ka arritur të jetë e suksesshme në 30 vitet e fundit".
Cana shpreh edhe pikëpamjen e tij për situatën aktuale: "Nëse Sandërland është një armatë që shkon në luftë, kualiteti më i madh i ekipit është zemra. Ne luajmë me pasion dhe sulmojmë shumë mirë. Cilësia ime më e madhe është se luaj me zemër. Përkushtimi dhe entuziazmi më kanë ndihmuar të kem suksese".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›