E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futboll pozicionet e Bogdanit dhe Januzit

Ai kërkohet në Serinë A dhe në Serinë B, madje Vareze e Bresha e kanë bërë të qartë interesimin e tyre. Por, Erion Bogdani duket se ka ende një rol për të luajtur tek Çezena, aty ku trajneri Arrigoni po i jep edhe një shans tjetër.
Sipas mediave italiane, sulmuesi kuqezi do të jetë titullar të dielën në mesditë në ndeshjen e Serisë A që Çezena do të luajë në fushën e Udinezes. Në këtë përballje të vështirë, Bogu do të jetë “kulla” ofensive dhe mbështetësi më i rëndësishëm i sulmuesit rumun, Adrian Mutu.
Kjo zgjedhje e Arrigonit tregon se ai ende beson tek shqiptari, madje e quan të rëndësishëm për planet e tij dhe, në varësi nga paraqitjet e tij, do të vendoset edhe se cila do të jetë e ardhmja.
Ndërkaq, duke kaluar në Gjermani, Hanover e ka shprehur qartë interesimin e tij për sulmuesin tjetër shqiptar, Ahmed Januzi. Klubi i Bundesligës pati rast ta njihte Januzin në ndeshjet e Ligës së Europës që luajti ndaj Vorsklës së Poltavës dhe është i kënaqur që kosovari e njeh mirë gjermanishten pasi ka jetuar për disa kohë në atë vend.
Ish-kapiteni Altin Lala, ende lojtar i Hanoverit, shprehet se do ta donte Januzin në ekip dhe shton se po bisedohet, ndonëse ende nuk është arritur një përfundim. Hanover është gati të paguajë 700 000 euro për shqiptarin, por klubi ukrainas kërkon jo më pak se 1.5 milionë euro. Duket se ky problem mund të gjejë zgjidhje në verë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›