Futbolli është edhe për femra

Sulmuesja Veronica Boquete ka kritikuar kulturën mashkullore që ajo beson se dominon futbollin në Spanjë. Boquete, 25 vjeçe, anëtare e skuadrës suedeze Tyreso, ka bilanc të jashtëzakonshëm prej 14 golave në 14 paraqitje për përfaqësuesen e Spanjës për femra. Por, gjatë një interviste për FIFA.com, ajo ka bërë të ditur se sa të vështirë e kishte depërtimin në rininë e saj.
“Ne jetojmë në një shtet mashkullor dhe kjo na kushtëzon”, deklaroi ajo. “Nga mosha e re pritet që djemtë të bëjnë një gjë, kurse vajzat një tjetër. Ne duhet t’i edukojmë ndryshe njerëzit në mënyrë që një ditë të ndalemi së foluri për betejën e barazisë, një ditë kur ajo vërtetë nuk ekziston më”, u shpreh Boquete e cila me ekipin U-19 të Spanjës kishte fituar Kampionatin evropian 2004.
Ajo ankohet në diskriminim gjinor dhe beson se kjo e kishte penguar shumë në moshën e re.
“Si femër jam ndjerë e diskriminuar prej kur isha e re. Kur fillova të luaj futboll si 6 vjeçe, ishte një rregull që i pamundësonte djemtë dhe vajzat të luanin në skuadrën e njëjtë. Stërvitja rregullisht me ta, shkoja në ndeshje me ta, vishja uniformën dhe në fund ulesha në bankinë dhe vetëm shikoja takimin. Isha shumë e re dhe nuk e kuptoja pse, ishte e vështirë dhe kjo la gjurmë brenda meje”, u shpreh ish sulmuesja e Espanyolit dhe e Philadelphia Independence e cila nga ky vit është pjesë e skuadrës suedeze Tyreso. Boquete ka treguar se ka qenë cak i fyerjeve dhe shprehu idenë e saj se çka mund të bëhet për të ndryshuar gjërat.
“Komentet më të këqija që më janë bërë ishin nga nënat e djemve që luanin për ekipet kundërshtare. Jo nga babai i tyre, por nga nënat. Edhe ato tingëllonin mashkullore, madje më tepër se vetë meshkujt. A mund të ishte për shkak se djemtë e tyre ishin ata që shënonin dhe driblonin, dhe jo vajzat e tyre? Shpresoj që ajo që kam tejkaluar unë në rininë time t’i takojë të kaluarës. Në shkolla dhe mes familjeve duhet të punohet. Aty është nevoja që fëmijët të mësojnë gjithçka dhe të udhëzohen ku të kalojnë shumicën e kohës së tyre. Nëse barazia është e vërtetë dhe normale në këtë mjedis, atëherë do të mbetet ashtu për gjithë jetën e një personi në çdo mjedis”, përfundoi ajo.
Për dallim nga futbolli më pak i afirmuar i femrave spanjolle, skuadra e meshkujve ka hyrë në histori si ekipi i parë që fitoi tri gara të njëpasnjëshme ndërkombëtare, Euro 2008, Kampionati botëror 2010 dhe Euro 2012.