E Diel, 1 Nëntor 2026

Futbolli italian biznesmeni amerikan Di Benedeto blen Romen

Marrin fund problemet e Romës. Konsorciumi i udhëhequr nga biznesmeni amerikan, Tomas Di Benedeto ka marrë pronësinë e klubit të futbollit italian Roma. Njoftimi i jep fund kështu fjalëve që qarkullonin prej vitesh për debite të klubit kryeqytetas, që do të pozicionohet tani në Serinë A me pronësi të huaj.

Konsorciumi, që ka blerë 67% të aksioneve, zotërohet në kuotën e 60% nga Di Benedeto dhe 40% nga banka italiane UniKredit. "Gjërat e mira nuk janë të thjeshta. Nuk ndjeva kurrë se do të dorëzohesha në kërkesën time për këtë klub",- ka thënë Di Benedeto gjatë konferencës me zv/drejtorin e përgjithshëm të UniKredit, Paolo Fiorentino.

Sipas ligjit italian, konsorciumi duhet të bëjë një ofertë publike për të blerë 33% të mbetura të aksioneve të Romës. Di Benedeto ka qenë më parë partner i Nju Ingland Sports Vençërs, që zotëron skuadrën e bejzbollit Boston Red Soks dhe anglezët e Liverpul. Si pasojë e problemeve financiare, Roma drejtohet tani në pankinë nga ish-futbollisti Vinçenzo Montela, pas largimit të Klaudio Ranierit në muajin shkurt.

Investitorët e huaj e kanë injoruar më parë Serinë A, duke preferuar klubet angleze, ku stadiumet janë gjithnjë të mbushur dhe marketingu prodhon fitime të konsiderueshme, gjë që në fakt në Itali nuk ndodh.

Eno Skarço

Azhornuar së fundi ( e shtunë , 16 prill 2011 )

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›