Futbolli, kronikë e zezë

Futbolli dhe sporti në përgjithësi rrallëherë zënë vend në kronikën e zezë. Por, në vitin e fundit kanë ndodhur ngjarje të rënda që kanë tronditur sportin më të popullarizuar në botë dhe të gjithë adhuruesit e tij.
Pas tentimit të vetëvrasjes së gjyqtarit Babak Rafati para ndeshjes mes Kolnit dhe Mainzit në Bundesligë më 20 tetor, një tjetër rast i ngjashëm ndodhi në Belgjikë. Chris Schelstraete (37 vjeç), gjyqtar anësor, disa minuta para fillimit të ndeshjes së ligës së dytë belge mes Tubize dhe Brussels, kishte hyrë në tualet dhe kishte prerë venat, derisa në duar mbante fotografinë e gruas dhe fëmijës. Falë reagimit të shpejtë të stafit mjekësor, Chris shpëtoi.
Ndeshja sigurisht u ndërpre, por ky është problemi më i vogël. Futbolli gjithnjë e më tepër po shndërrohet në kronikë të zezë. Rasti më i rëndë ndodhi më 27 nëntor. Ish futbollisti i mirënjohur uellsian dhe selektor i reprezentacionit të këtij shteti, Gary Speed u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Huntington.
Burimet thanë se 42 vjeçari ishte gjetur i varur. Figura nga mbarë bota e futbollit janë tronditur nga lajmi tragjik. Alan Shearer tha:“Do të më mungojë shumë”. Ndërsa Ryan Giggs deklaroi se Speed ishte “një prej njerëzve më të mirë në futboll”.
Një tjetër bashkëlojtar i Speedit nga Uellsi, Robbie Savage shkroi në profilin e tij në rrjetin social Twitter: “Bota ka humbur një njeri të madh, jam i tmerruar sepse kemi biseduar të shtunën, Pse ? Pse ? Do të më mungojë shumë!”.
Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, liroi reprezentuesin uellsian Craig Bellamy nga skuadra e tij për ndeshjen kundër Manchester Cityt, duke thënë se Bellamy ishte “shumë, shumë i afërt me Garyn”.
Cheshire Police njoftoi për vdekjen e Speedit pasi e kishte gjetur atë të vdekur në pronën e tij. Familja e tij ka thënë se dëshiron që të lihet “në qetësi gjatë kësaj kohe të vështirë”.
Speed, i lindur në Mancot, Flintshire, ishte paraqitur në programin Football Focus në BBC 1, vetëm disa orë para vdekjes së tij. Ai e kishte filluar karrierën si futbollist në Leeds United, ku depërtoi nga rangu i juniorëve, ndërsa ishte anëtar i ekipit që fitoi titullin e fundit në Football League më 1992 para transformimit të saj në Premierligë.
Ai u largua nga Leeds më 1996 pas 312 paraqitjeve dhe kaloi në Everton, ku u bë kapiten. Newcastle ishte destinacioni i tij i radhës më 1998. Gjatë gjashtë viteve që kaloi me Magpies, ai pësoi dy humbje në finale të FA Cup, por shikoi sukses të paraqitjes në Ligën e Kampionëve.
Ai kaloi katër vite të tjera në Bolton Wanderers para se të përfundonte karrierën në Sheffied United më 2009-10. U emërua selektor i Uellsit në dhjetor 2010, edhe pse kishte vetëm katër muaj të mëparshëm të përvojës si trajner, por ekipi filloi të bëjë progres nën drejtimin e tij. Në 10 ndeshje nën drejtimin e tij, Uellsi fitoi pesë takime. Ai pas vetes la gruan, dy fëmijë dhe një botë të tërë sportive që e vajton vdekjen e tij.