E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futbolli shqiptar i “shartuar” me boks...

"Boksi fillon me grushta dhe përfundon me përqafime, ndërsa futbolli fillon me përqafime dhe përfundon me grushte dhe shkelma". Kështu thotë satiriku Luan Laze në një nga paradokset e tij. Dhe kjo është bërë realitet. Futbolli në përgjithësi dhe futbolli shqiptar, në vecanti, na e kanë bërë sherrin në fushë më se të zakonshëm. Ka që nga fillimi i Kampionatit të Super-ligës, që cdo javë do të na shohin sytë grushte dhe shkelma. Arbitra që rrihen, shahen, dhe ofendohen. Tifozë që shkulin karrige, hedhin monedha e cakmakë dhe drejtues klubesh që dalin krah tifozëve në mbrojtje të akteve vandale. Masa shumë të lehta nga komisioni i disiplinës. Por duket se, më në fund, komisioni i disiplinës është zgjuar paksa nga "gjumi i thellë dimëror". Ka dënuar fushën e Peqinit me 6 javë dhe klubit i ka vënë një gjobë me vlerë tre milion lekë. Shkak për këtë masë është bërë ndeshja "Shkumbini"-"Partizani". Në caste acarimi, tifozët, përvecse hodhën gurë dhe sende të forta në fushë, u turrën edhe tek presidenti i "Partizanit", Albert Xhani. Disa minuta agresion fizik ndaj tij dhe u desh ndërhyrja e policisë, për të larguar të irrituarit nga Xhani. Arbitri, pasi u fye dhe u sulmua fizikisht, u largua nga fusha i shoqëruar nga policë. Disiplinori dënon Peqinin. Javë më parë, u morën vendime edhe ndaj drejtuesve të "Flamurtarit"...
Futboll i shartuar me boks...
Kemi harruar të shohim një ndeshje që fillon dhe mbaron qetësisht. Është bërë e zakonshme që në fushë mos të shohim vetëm futbollistë dhe arbitra, por edhe policë, ambulanca, ushtri dhe tifozë të inatosur, edhe të armatosur, mundësisht. Motoja e famshme e UEFA-s "Fair Play" (lojë e ndershme) na ka lënë "shëndenë". Futbollistët dhe drejtuesit e klubeve janë mësuar që për cdo "padrejtësi" të konstatuar të derdhen në fushë dhe pasi e shajnë arbitrin "me rob shpie" i fusin edhe një dru. Skena që janë të denja për filma humoristikë. Arbitra që vrapojnë rreth fushës dhe nuk kanë ku të fusin kokën. Policë që nuk dinë kë të mbrojnë dhe nga kush t'a mbrojnë më përpara. Të ruajnë arbitrat nga futbollistët, tifozët apo drejtuesit e klubit. Një ditë më kapën veshët këtë dialog të zhvilluar midis dy tifozëve:
- Hë, mo plak! Për ku je nisur?
- Në stadium, Daku.
- Po si në stadium, mor plak. Po gurë, a ke me vete?
- C'a je t'u thonë me? Jo vetëm gurë, por edhe nja 15 cakmakë. E kam ene një thikë, në rast se më duhet. Do ta caj më dysh atë arbitrin, po nuk na dha penallti.
Rasti Andrei Frisk dhe arbitrat tanë...
Arbitri Andrei Frisk, një nga më të mirët u tërhoq përgjithmonë nga aktiviteti futbollisitk vetëm pas deklaratave fyese të trajnerit të Chelsit, Hose Murinjo. Dhe ky i fundit, nuk e shau nga gruaja, motrat apo fëmijët. Thjesht e cilësoi si të paaftë. Ndërsa arbitrat tanë e kanë të zakonshme të dëgjojnë se si shahen në kor nga motra, nëna dhe gruaja. Cdo të kishte bërë Frisk po të arbitronte ndeshjet e Kampionatit tonë? Si do të reagonte kur të dëgjonte tifozë të palarë, që shajnë vajzat e tij? Normalja do të ishte një proces gjyqësor. Por tek ne as që bëhet fjalë për rrugë ligjore. Sepse të kthejnë mbrapsht me arsyetimin, se tifozët nuk e realizuan atë që të shanë. Pra nuk e konsumuan veprën penale.
Zgjidhja...
Vendimet që merren nga komisioni i disiplinës, nuk i bëjnë fare përshtypje drejtuesve të klubeve. Ndaj do të ishte më e udhës që dënimet të bëheshin akoma më të rënda. Psh. nëse një lojtar lëshon ofendim ndaj gjyqtarit, ai të përjashtohet rreth 2-3 vjet nga futbolli. Ndërsa, në se veprimet fyese mbështeten edhe nga drejtuesit e ekipit, atëherë klubi të bjerë një kategori më poshtë.
Pa masa drastike, nuk mund të pretendojmë të kemi një futboll të niveleve evropiane. Për sa kohë do të kemi një komision disipline "zemër-butë", do të na shohin sytë vetëm llahtarira... Futbollin vetëm t'a ëndërrojmë.
Elio Laze

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›