Futbollistët duhanpirës

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho suspendoi mbrojtësin Fabio Coentrao pasi në festë për ditëlindjen e tij u fotografua duke pirë cigare. Kjo bëri lajm në mbarë botën dhe tregoi se pavarësisht angazhimeve të shumta, pagës multimilionëshe, futbollistët dinë të tejkalojnë kufirin duke rrezikuar shëndetin dhe karrierën e tyre.
Mirëpo, një gjë është e sigurt, Coentrao nuk ishte i vetmi. “Më kujtohet se si Robert Prosineçki është parë disa herë në Madrid me cigare në gojë. Ndoshta kjo ishte arsyeja e paraqitjeve të dobëta të tij me fanellën e Realit” shkroi në uebfaqen e Marcas, kolmnisti Pablo Diaz.
Ylli kroat pranoi se pinte nga dy paqeta cigare Marlboro në ditë, por në vetëmbrojtje përmendi shembujt e disa futbollistëve të tjerë. “Gjysma e futbollistëve pinë cigare, por kurrë nuk zbulohen. Mua kjo më relakson, e askush nuk jeton 100 vjet. Shikojeni Romarion. Më i miri në botë, e çdo natë del të argëtohet”, kishte deklaruar Prosinecki, aso kohe mesfushor i gjigantit madrilen.
Edhe mjeku holandez, Dick van Toom u shpreh në përkrahje të tij. “Pirja e duhanit nuk ndikon në muskuj. Edhe Cruyff kishte pirë duhan në kohën kur ishte futbollist, e prapë ishte më i miri”, deklaroi ai.
Kurse, Diaz ka theksuar se pirja e duhanit nga futbollistët me emër është shembull i keq për të rinjtë. Përveç Prosineckit e Cruyffit, në mesin e duhanpirësve është edhe legjenda e Argjentinës, Diego Maradona, Fabien Barthez, Roberto Di Matteo e Slaven Biliç.
Kurse, me cigare në gojë janë zënë edhe Zinedine Zidane, Dimitar Berbatov, Wayne Rooney, Mario Balotelli, e të tjerë. Pavarësisht imazhit të keq, të lartpërmendurit nuk do të pajtohen me mendimin se duhanpirësit nuk mund të jenë sportist kulmor.