E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messitë dhe Ronaldot e 1912-ës

Futbolli, njëqind vjet më parë ishte shumë më ndryshe se sporti të cilin e shikojmë sot, i përcjellë në mbarë botën, me përfitime milionëshe. Por, kishte ngjashmëri. Një prej më të mëdhave ishte prezenca e individëve me status të ikonave, famë dhe të dashur nga tifozët e asaj kohe.

Sot janë Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, ata që mahnitin botën me aftësitë e tyre në fushat e futbollit. Por, kush ishin yjet e 1912-ës. FIFA.com ka veçuar disa prej lojtarëve që shkëlqyen një shekull më parë.

Britania, si vendlindja e futbollit, kishte një skenë të pasur profesionale në fillim të shekullit XX, që përbënte futbollist kualitativ. Në Angli, 1912-ta filloi – sikurse 2012-ta, me Manchester Unitedin kampion. Kapiten i ekipit të atëhershëm të Djajve të Kuq ishte Charlie Roberts, mesfushor i fuqishëm dhe i shpejtë, i cili udhëhoqi ekipin drejt dy prej rekord 19 titujve të kampionit në ligë.

Ai njihej si rebel pasi më 1907 kishte formuar një union të futbollistëve dhe kundërshtoi rregullat e Federatës për bartjen e shorceve mbi gjunjë. Qëndrimi i tij i ashpër nuk e ndaloi Oldham Athleticun të paguajë 1500 funte për të siguruar shërbimet e tij më 1913, rekord transferim i asaj kohe.

Meredith, minator që luante me brushë në gojë

Një tjetër, Billy Meredith ishte ‘magjistari’ uellsian i Unitedit, para se Ryan Giggs të shkelë në Old Trafford, dhe kishte nderin e rrallë të jetë i adhuruar nga të dy anët e qytetit.

Por, i jashtëzakonshëm ishte vendimi i tij për refuzimin e kontratës profesionale me Cityn, duke mbajtur statusin e amatorit, në mënyrë që të ishte në gjendje të kthehej në fshatin Chick në Uells për të punuar edhe në një minierë qymyri. Në ndeshjen e tij të dytë për Cityn, në nëntor 1894, ai realizoi dy herë në fitoren 5-2 ndaj Unitedit.

Disa muaj më vonë, ai u bë yll i futbollit anglez duke përfunduar si golashënuesi më i mirë në sezonin e tij të parë në klub. Në kohën kur City fitoi në FA Cup, trofeu i parë i klubit, më 1904, Meredith ishte kapiten. Dy vjet më vonë, ai kaloi në United, ku edhe pse 38 vjeç, më 1912 luajti rol të rëndësishëm duke i ndihmuar skuadrës të fitojë titullin e kampionit në ligë.

Në fakt, Meredith – i njohur që luante me brushë të dhëmbëve në gojë – luajti edhe për nëntë vjet të tjera në United, para se të kthehej në City për të përfunduar karrierën, duke bërë paraqitjen e tij të fundit në moshën 49 vjeç e 245 ditë, e duke shënuar rekord në FA Cup, i cili qëndron edhe sot.

Golashënuesit rekordë

Një tjetër rekordmen i asaj kohe ishte Vivian Woodward. Qendërsulmues i Tottenham Hotspurit dhe Chelseas, londinezi shënoi 29 herë në vetëm 23 paraqitje për Anglinë, duke shënuar rekord që u nevojitën 47 vjet të thyhet.

Woodward ishte edhe kapiten i ekipeve të Britanisë së Madhe në garat e futbollit në olimpiadat 1908 dhe 1912. Këto ishin vitet kur futbollistët e huaj filluan të transferohen në ligat kryesore evropiane. Një i huaj u dallua në Angli. Nils Middelboe ishte realizatori i golit të parë të Danimarkës në ndeshje ndërkombëtare dhe përfaqësoi shtetin në olimpiadat 1908, 1912 dhe 1920, duke fituar medaljen e argjendtë në dy të parat.

Megjithatë, Middelboe krijoi histori kur u bë futbollisti i parë i huaj që përfaqësoi dhe ishte kapiten i Chelseas, edhe pse vendosi të luante përkohësisht, pasi punonte në një bankë në Londër.

Në veri të kufirit, Jimmi Quinn ishte futbollist i adhuruar nga tifozët e Celticut dhe Skocisë. Qendërsulmuesi Quinn shënoi 216 gola në 331 paraqitje për Celticun, duke përfshirë një het-trik kundër Rangers në finalen e Kupës së Skocisë më 1904.

Pasi Kampionati botëror i FIFA-s ishte 18 vite larg, Olimpiada shërbeu mundësinë e shfaqjes së talentit në skenën ndërkombëtare dhe ishte gjermani Gottfried Fuchs, ai që u bë sensacion.

Sulmuesi shtatlartë, kampion i Gjermanisë me Karlsruher më 2910, përfundoi golashënuesi më i mirë në Stokholm me dhjetë gola. Ajo që e bëri të jashtëzakonshëm ishte se të gjithë dhjetë golat i realizoi brenda një ndeshjeje në fitoren e Gjermanisë ndaj Rusisë me rezultat 16-0.

Depërtimi i yjeve në Spanjë

Derisa Fucks shkëlqeu në Stokholm, dy prej golashënuesve më të mirë të futbollit spanjoll ishin në fillim të karrierave të tyre. Paulino Alcantara debutoi me het-trik për Barcelonën në moshën 15 vjeç.

Ai realizoi 357 gola për gjigantin katalan dhe vetëm për shkak se disa prej tyre erdhën në miqësore, Messi ishte në gjendje të shënojë rekordin e golave në mesjavë. Në kohën kur Alcantara shpërtheu në skenë te Barcelona, Athletic Bilbao kishte sjell një sulmues të ri me emrin Rafael Moreno Aranzadi.

Ai me Bilbaon kishte mesatare prej më tepër se një goli në ndeshje, kurse më vonë inspiroi Spanjën drejt finales në Olimpiadën 1920 në Antwerp. Tragjikisht, ai humbi jetën në moshën 29 vjeç nga tifusi, edhe pse legjenda e tij jeton në stadiumin e Bilbaos, San Mames dhe gjithë Spanjën. Në mesin e futbollistëve të tjerë, të cilët shkëlqyen në këtë periudhë, ishin edhe hungarezi Imre Schlosser dhe braziliani Arthur Friedenreich.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›