E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-polici invalid, apelon për ndihmë nga shteti

SHKODËR/ Ndue Vija doli në lirim i prekur nga reforma dhe më pas u aksidentua, por nuk i njihet statusi i invalidit

SHKODËR - Asnjë ndihmë nga shteti, shtëpi e cila rrezikon të shembet dhe mohim i paaftësisë për punë, janë disa nga vështirësitë me të cilat përballet familja e Ndue Vijës në Kastrat tëMalësisë së Madhe.


Kryefamiljari ka qenë punonjës i policisë së shtetit dhe më 2006-n ka dalë në lirim i prekur nga reforma e marrë nga Ministria e Brendshme. Menjëherë pas kësaj ai aksidentohet dhe si pasojë humb një pjesë të këmbës.


Por atij nuk i njihet as pagesa dyvjeçare e atyre që kanë dalë në lirim nga reforma dhe paguhet vetëm me pagesë papunësie, edhe pse ka statusin e invalidit. Fatkeqësia e ndodhur e vështirësoi së tepërmi jetesën e familjes Vija, e cila ka gjashtë pjesëtarë, ku Ndue Vija dhe bashkëshortja e tij kanë katër fëmijë të mitur.


Problemet shëndetësore të kryefamiljarit invalid, por që me pagesë nuk trajtohet si i tillë, shtohen dhe më shumë nga pamundësia për të punuar, kostoja e shërbimit shëndetësor, shtëpia ku jeton, e cila rrezikon të shembet.


Ndërsa shteti është treguar indiferent për fatin e tij. Vija shprehet se ka bërë kërkesa që ti njihet pagesa dyvjeçare e pasreformës njëlloj si kolegëve të tjerë që janë larguar nga policia e shtetit prej kësaj reforme. Por aksidentimi i tij ka bërë që shteti t'ia mohojë këtë të drejtë.


Po kështu, edhe pse ka status invalidi, sipas Vijës, ai nuk trajtohet me pagesë invaliditeti, por vetëm me pagesë papunësie, njëlloj si familjet të tjera që nuk kanë invalidë, aq më tepër që Ndue Vija është kryefamiljar. Ai i bën apel shtetit që t'i njohë të drejtat që mendon se i takojnë sipas ligjit dhe që të bëjë të mundur që familja e tij e varfër të mbijetojë. Apeli i tij i drejtohet dhe qytetarëve të ndryshëm , të cilët kanë mundësi të kontribuojnë për riparimin e shtëpisë që po i shembet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›