E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mima: S'mund të paguhet rruga e bërë me taksa

Ish-zv/ ministri i Financave kundër vendosjes së pagesës për tunelin e Kalimashit. Shehu: Nuk e kemi diskutuar

Tuneli i Kalimashit


TIRANË- Rihapja e tunelit të Kalimashit do të shoqërohet me vendosjen e një pagese për çdo makinë që do hyjë në të por ky vendim ka hasur në kundërshtimin e ish-zv/ministrit të Financave, Florian Mima. Ish-zv/ministri tjetër, Sherefedin Shehu, ka pohuar se kjo gjë është e mundur por nuk është diskutuar asnjë herë deri më tani.


Të dyja këto deklarata hedhin dritë mbi një anë të errët të qeverisë ku pjesa më e madhe e vendimeve merren pa u konsultuar dhe në mënyrë të menjëhershme.


Burime nga kompania menaxhuese "Savronik", shprehen se ka filluar punën për vendosjen e aparaturave elektronike për kryerjen e pagesës, ish-funksionarë të lartë të Ministrisë së Financave nuk e konfirmojnë këtë fakt.


Dy ditë më parë, menaxherë të kompanisë "Savronik", e cila menaxhon tunelin thanë për "Shekullin" se pas përfundimit të punimeve në tunel, të gjitha automjetet që do të kalonin në të do t'i nënshtroheshin një pagese.


"Me rihapjen e tunelit do të fillojë edhe aplikimi i pagesave dhe për këtë do të bëhet instalimi i trarëve elektronikë", - do të shprehej dy ditë më parë njëri nga operatorët e kompanisë. Madje sipas tij, kompania kishte sjellë edhe trarët që shërbejnë për pagesën në mënyrë elektronike dhe pritej që së shpejti të fillohej me montimin e tyre.


Por, i ftuar në një emision gjatë mëngjesit të djeshëm, ish-zëvendës ministri i Financave, Florion Mima, dha mendimin e tij në lidhje me aplikimin e pagesës për kalimin në tunel. I pyetur se si qëndronte kjo çështje, Mima u shpreh se përderisa ajo rrugë është ndërtuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë nuk ka pse të jetë me pagesë.


Po ashtu, i kontaktuar nga "Shekulli", ish-zëvendës ministri tjetër i Financave, Sherefedin Shehu, theksoi faktin se aplikimi i pagesës për automjetet që kalojnë në këtë aks nuk është diçka e pamundur por që kjo temë ende nuk është marrë në shqyrtim. "Aplikimi i pagesës është një praktikë që nuk përjashtohet por kjo çështje ende nuk është marrë në shqyrtim.


Nëse do të bëhet ajo do t'i jepet një kompanie private e cila do të merret me mirëmbajtjen e rrugës nëpërmjet një tenderi i cili nuk është zhvilluar", - tha Shehu.
Nga ana tjetër, burime pranë kompanisë "Bechtel & Enka", theksojnë se i takon qeverisë të vendosë nëse kalimi në tunel do të bëhet me pagesë ose jo dhe se deri më tani kjo çështje nuk është shtruar për diskutim.


Pavarësisht se dy ish- funksionarët e lartë të Ministrisë së Financave nuk e konfirmojnë këtë fakt, njëri në parim shprehet kundër dhe tjetri thekson se nuk është marrë në shqyrtim një çështje e tillë.


Nga burime brenda kompanisë menaxhuese të tunelit të Kalimashit bëhet e ditur që kalimi në të do të behet me pagëse madje janë vendosur edhe tarifat për çdo automjet. Kështu, sipas njërit prej operatorëve të kompanisë "Savronik", tarifat e pagesave për kalimin e automjeteve në tunelin e Kalimashit do të jenë 200 lekë për veturat, 500 lekë për furgonët dhe 1000 lekë për autobusët dhe kamionët.


Për sa i përket vendosjes së trarëve të pagesës elektronike, ky proces së bashku me informatizimin e të gjithë kontrollit të tunelit do të kryhet gjatë periudhës që tuneli vazhdon të qëndrojë i mbyllur. Gjatë kësaj kohe krahas punëve ndërtimore do të realizohen edhe punimet elektronike, si vendosja e kamerave të kontrollit dhe instalimi i pajisjeve elektromekanike.


Ndërkohë që sistemi i pagesës do të jetë tërësisht elektronik, ku çdo kalim do të jetë i kontrolluar nga sistemi, kur në momentin e daljes së faturës, do të bëhet e mundur hapja e traut. Për menaxhimin e tunelit të Kalimashit, qeveria shqiptare i ka akorduar kompanisë "Savronik" tre miliadrë lekë që do të përdoret për një periudhë 2-vjeçare.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›