E Shtunë, 31 Tetor 2026

Füle përgëzon të majtët, vlerëson 8 vitet e Berishës

Komisionari për Zgjerimin e BE-së, Stefan Füle ka përgëzuar koalicionin fitues në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke shprehu besimin se qeveria e ardhshme do të vazhdojë të ndjekë agjendën e reformave të vendit në një mënyrë gjithëpërfshirëse, për t’i dhënë procesit të integrimit evropian vrullin e nevojshëm.

“Tetë vitet e kaluara kanë qenë një periudhë e reformave të rëndësishme dhe të rritjes ekonomike. Shqipëria ka arritur progres të qëndrueshëm në rrugën e integrimit evropian. Liberalizimi i vizave, si dhe rekomandimi i Komisionit Evropian për statusin e kandidatit janë dëshmi për këtë”, thuhet në deklaratën e Füles.

Komisionari i BE-së thekson më tej se tani më shumë se kurrë bashkëpunimi ndërpartiak është i nevojshëm për të siguruar një tranzicion të qetë të pushtetit. Njoftimi i kryeministrit Berisha për pranimin e rezultatit, për komisionarin Füle është një hap i rëndësishëm drejt këtij qëllimi.

“Ka shumë sfida përpara, të cilat do të kërkojnë vëmendje të menjëhershme. Kjo është pra koha që shqiptarët të shikojnë me besim, të bashkuar, drejt së ardhmes së tyre evropiane”, përfundon Füle./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›