E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqi denohen mbi 300 ushtarake

Një gjykatë turke ka dënuar të premten rreth 330 zyrtarë ushtarakë, nën akuzat se kanë bërë përpjekje të rrëzojnë qeverinë e kryeministrit Recep Tayyip Erdogan.
Gjykata ka dënuar tre ish-gjeneralë, përfshirë ish-shefin e forcës ajrore, me burgim të përjetshëm. Gjykatësi ka thënë se ata do të shërbejnë vetëm 20 vjet, pasi komploti i vitit 2003 ka dështuar. Më shumë se 320 oficerë të tjerë, ne pension ose në detyrë, janë dënuar deri në 18 vjet heqje lirie, 34 janë liruar. Konspiracioni i quajtur "Sledgehammer" ka përfshirë planet për të bombarduar xhamitë në Stamboll dhe për të shkaktuar konflikt me Greqinë, për t’i hapur kështu rrugën ushtrisë që të marrë pushtetin.
Të pandehurit i kanë mohuar akuzat, duke thënë se komploti i dyshuar ka qenë stërvitje e planifikuar ushtarake.
Gjeneralët nuk i pranuan akuzat dhe u kundërpërgjigjën duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Erdogan për nisjen e një “gjuetie shtrigash” në ushtri, me qëllim errësimin e dështimeve të saj në çështjen kurde dhe problemet e tjera politike e ekonomike në vend. Grushtet e shtetit në Turqi janë një fenomen i njohur edhe për shkak të fuqive të mëdha kushtetuese që i jepet ushtrisë, me katër grushte shteti midis viteve 1960-90.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›