Assad Rebelet nuk do te fitojne
“Rebelët sirianë nuk do të fitojnë”. Bashar Al Assad ka folur sërish në një intervistë për një të përditshme egjiptiane. Ai ka siguruar se regjimi nuk do të bjerë në duart e atyre që ai cilëson si terroristë. Edhe pse më pas Asad shton se do të ishte i hapur ndaj një dialogu me ta. Presidenti i Sirisë është shprehur i gatshëm për të ndryshuar, por jo nëpërmjet një ndëhyrjeje të huaj. Ndërsa Asad në intervistën e tij, mbështet politikën e luftës të ndjekur deri tani, aviacioni ushtarak ka kryer një masakër civilësh në Ain Isa, në rajonin e Rakës. Mjekët e spitalit më të afërt, që është rrethuar menjëherë nga forcat e sigurisë, kanë numëruar 48 viktima dhe më shumë se 100 të plagosur. Sipas dëshmitarëve okularë janë lëshuar dhe bomba në një pikë karburanti. Vendi i masakrës nuk është shumë larg nga zona kufitare e Tal Abiad që është nën kontrollin e ushtrisë së lirë siriane. Ndërkohë që mbesin ende të paqarta shkaqet e rrëzimit të helikopterit qeveritar në Duma. Regjimi flet për një difekt teknik, por sipas vëzhguesve kombëtar të të drejtave të njeriut helikopteri është qëlluar nga rebelët.