E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyhen para raundit të dytë

Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, dhe sfiduesi i tij, Francois Hollande, kanë shkëmbyer fyerje të rënda gjatë debatit televiziv që i paraprinë raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Hollande, i cili sipas sondazheve do të fitojë mes gjashtë dhe dhjetë përqind më shumë vota në raundin e dytë zgjedhor, dukej i qetë në debatin e të mërkurës mbrëma me presidentin Sarkozy. Nga ana tjetër, Sarkozy, që po mundohet të ulë dallimin me kandidatin socialist, shpeshherë shfaqej agresiv.

Analistët politikë thonë se dueli nuk ndryshoi gjendjen, por vetëm sa ka ‘betonuar’ bindjen e votuesve për të dy kandidatët. Gazeta ‘The Guardian’ shkruan se debati mbase ishte më i ashpri në historinë 30-vjeçare të dueleve zgjedhore të dy kandidatëve presidencialë në Francë.

Kundërshtarin e tij politik Sarkozy shpeshherë e quante “shpifës të vogël”, përderisa Hollande pohonte se rivali i tij po shmang marrjen e përgjegjësisë për gjendjen e keqe në vend. Presidenti aktual mbronte rezultatet e arritura, duke thënë se Franca tashmë ka dalë nga recesioni, përderisa Hollande këto pohime të tij i cilësonte të pavërteta, ngase vendi po kalon “nëpër krizë shumë serioze” dhe ka vështirësi të mëdha me rritjen e ngadalshme ekonomike.

"Këto janë rrena! Këto janë rrena!” përsëriste Sarkozy gjatë kësaj kohe.

Ishte ky debati i parë dhe i vetëm i dy kandidatëve presidencial, para raundit të dytë zgjedhor që mbahet të dielën, më 6 maj. Gjatë fushatës së deritanishme zgjedhore që të dy kryesisht prekën tema vendore, si ekonominë, imigracionin, integrimin e myslimanëve francezë, etj.

E në debat, Sarkozy deklaroi se Francës i duhet një ulje e mëtutjeshme e shpenzimeve dhe e borxheve publike, përderisa Hollande u angazhua për programe stimuluese që do të financoheshin nga qeveria.

“Si president, unë do të angazhohem për drejtësi, sepse po kalojmë nëpër një krizë serioze, e cila në veçanti po godet shumicën nga ne që bëjmë një jetë normale, punonjësit - që janë më të ndjeshmit”, theksoi Hollande. Duke u përgjigjur ndaj pohimeve të Hollande, Sarkozy tha se Franca ka arritur rezultate më të mira se të gjitha vendet tjera evropiane që po përballen me krizën ekonomike.

“Cili është ai shtet që nuk e di se çka ishte recesioni i vitit 2009 – vetëm Franca”, deklaroi Sarkozy, i cili akuzoi Hollande se po lufton për interesat e sindikatave e jo të të gjithë francezëve.

“Është gjë e bukur të flitet për unitetin e të gjithë njerëzve, por atë duhet dëshmuar në praktikë”, theksoi ai.

Sarkozy nënvizoi se pas krizës është akuzuar padrejtësisht për problemet ekonomike të Francës, derisa insistoi se “nuk është fajtor i vetëm”. E Holande iu përgjigj: “Ju kurrë s’jeni fajtor. Gjithnjë e gjeni ndonjë qengj për të sakrifikuar... Diçka si: Unë s’jam fajtor, por kriza që na goditi”.

Tutje, sipas Sarkozy, planet ekonomike të Holande do ta ulin borxhin e Francës nën kufirin e poshtëm dhe do të rrezikojnë pjesën tjetër të Evropës.

Hollande ndërkaq bëri thirrje për unitet kombëtar dhe drejtësi sociale, derisa përsëriti disa herë sloganin e tij zgjedhor: “Unitet”, për të potencuar kështu dallimin në raport me Sarkozy’n, që ka afinitet për ndarje.

"Po dalim nga periudha pesëvjeçare, gjatë së cilës Franca vetëm sa sharroi dhe u nda”, theksoi Hollande, derisa Sarkozy’n e cilësoi si “të paaftë për përfaqësimin e ndonjë mendimi, pa qenë opozitë e bashkëbiseduesit të tij”.

Hollande ka kritikuar reformat tatimore të Sarkozy, të cilat majtistët i konsiderojnë “tepër miqësore” ndaj të pasurve.

“Dallimi mes nesh është se ju dëshironi më pak të pasur, e unë më pak të varfër”, pohoi Hollande.

“Pohimet se ju kemi ofruar dhurata të pasurve janë thashetheme. Janë gënjeshtra”, u përgjigj Sarkozy, përderisa Hollande po buzëqeshte.

Sarkozy i mohoi edhe kritikat e atyre që e krahasojnë atë me kolaboracionistët francezë të nazistëve, për shkak të fushatës së tij të ashpër kundër imigrantëve.

"Kufiri nuk është fjalë e keqe”, tha Sarkozy lidhur me thirrjen e tij për të kufizuar numrin e imigrantëve që dëshirojnë të hyjnë në Francë.

Vlerësohet se një e treta e 63 milionë francezëve e përcollën duelin televiziv të dy kandidatëve presidencialë.

Sarkozy sulmoi Hollande edhe për shkak të mospranimit të edhe një dueli tjetër televiziv me të, megjithëse tradita e vetëm një dueli televiziv daton që nga viti 1974 – përveç rastit kur, në vitin 2002, Jaques Chirac refuzoi të debatojë me kandidatin e atëhershëm presidencial të të djathtës ekstreme, Jean Marie Le Pen.

Momenti kyç i debatit të vitit 2007, mes Sarkozy dhe kandidates socialiste, Marie Segolene Royal, e cila është ish-partnerja dhe nëna e fëmijëve të Hollande, ndodhi kur ai i tha kandidates socialiste “të qetësohet, dhe të ruaj nervat”, sepse për “presidenti duhet të jetë i qetë”. Ajo e refuzoi këtë gjë disa herë, duke pohuar se pak zemërim “është gjë e mirë për shëndetin”.

Por në këtë debat duket se Sarkozy hasi në një oponent më flegmatik, pohojnë analistët. Kjo gjë duket se e shtyri atë që të ngre zërin.

Ndryshe, sipas agjencive për hulumtimin opinionit publik, del se para raundit të dytë zgjedhor Sarkozy kotohet më ulët se Hollande, sepse ka mbi shtatë përqind më pak përkrahje. Në raundin e parë, të mbajtur më 22 prill, Hollande fitoi me një dallim prej pak më shumë se një përqind të votave.

Edhe konservatorët edhe socialistët po kërkojnë mënyra për joshjen e votuesve që në raundin e parë votuan për liderin e partisë djathtiste Fronti Nacional, Marine Le Pen, e cila në raundin e parë arrit të fitojë 18 përqind të votave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›