Në zgjedhje pa simbole të Serbisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, pas mbledhje së Qeverisë, ka shprehur besimin që OSBE-ja do të bëjë organizimin teknik të zgjedhjeve dhe ka shtuar se janë vënë disa kritere të cilat janë negociuar me Komisionin Evropian, me BE-në dhe se, sipas tij, këto zgjedhje janë krejt ndryshe nga ato që ka mbajtur Serbia, deri më tani.
“OSCE e ka marr të drejtën dhe përgjegjësinë. Ne besojmë në organizimin që e bënë OSCE-ja, por nuk jemi të bindur që Serbia do të respektoj. Nuk është hera e parë që i thyen këto marrëveshje, por kësaj radhe garanci është BE-ja, SHBA-ja dhe OSCE-ja”, ka thënë Kuçi.
Gjithashtu, ai ka shtuar se mbi të gjitha nuk ka simbolika, nuk ka shenja, nuk ka organizim që identifikohet me shtetin e Serbisë.
Lidhur me akuzat e shoqërisë civile, që kryeministri po bënë fushatë në komunën e Ferizajt, Kuçi ka thënë se një gjë e tillë është normale sepse Thaçi është kryetar i një partie.
“Kryeministri është kryetar i një partie politike. Është mirë që ka fituar dhe u legjitimuar edhe pozita e kryeministrit. E kundërta, kish pas me thënë shoqëria civile, kryeministri nuk ka legjitimitet. Kështu që njerëzit në politik bëjnë fushatë tërë jetën edhe kur janë kryeministra, ministra edhe kur janë në opozitë”, ka thënë ai.
Në mbledhjen e ekzekutivit të vendit, sot është miratuar Projektligji për mbrojtjen e bimëve, Projekt-kodi i procedurës penale, propozim-vendimi për dhënien e opinionit Kuvendit të Kosovës lidhur me emërimin e anëtarëve të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Po ashtu, është miratuar propozim-vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e programit legjislativ për vitin 2012, është miratuar koncept dokumenti për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Ansamblin Kombëtar Shtetëror të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe për ansamblet tjera.
Është miratuar koncept-dokumenti për projektligjin e sponsorimeve dhe donacioneve në fushën e kulturës, rinisë dhe sporteve. Gjithashtu, projekt-rregullorja për menaxhimin e programit, organet kompetente, procedurat dhe kriteret e përfitimit për ri-integrimin e personave të riatdhesuar.
Gjithashtu, është miratuar propozim-vendimi për kompensimin shtesë për anëtarët dhe kryesuesin e Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për muajt prill dhe maj 2012, ndërsa nuk është miratuar propozim-vendimit për ndarjen e mjeteve financiare për grupin për bisedime teknike, pasi që kryeministri, Thaçi ka thënë se ende nuk ka një agjendë të bisedimeve. /kosovapress/