E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle: Emërimi i Avokatit të Popullit, konsolidon dialogun pozitë-opozitë

Komisioneri për Zgjerimin, në Bashkimin Europian Stefan Fule ka përshëndetur miratimin nga Parlamenti të kandidaturës së Igli Totozanit, si Avokat i Popullit. Në një deklaratë për shtyp Fyle shprehet:
 

"Jam veçanërisht i gëzuar që Kuvendi i Shqipërisë vendosi sot të emërojë z. Igli Totozani si Avokatin e ri të Popullit. Dëshiroj të përgëzoj Kuvendin e Shqipërisë dhe forcat politike për këtë rezultat të rëndësishëm dhe për procesin transparent dhe të hapur i cili solli në këtë emërim. Plotësimi i këtij pozicioni do të ndihmojë në forcimin e një institucioni kyç të pavarur, i cili luan një rol themelor në ruajtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Dëshiroj të theksoj se mënyra si u finalizua ky emërim përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e dialogut ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës. Përshëndes këtë zhvillim i cili shtron rrugën për përmbushjen e njërit prej 12 prioriteteve kyç të identifikuar nga Komisioni Europian në Opinionin për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kjo është një tjetër shenjë e impulsit të ri që Shqipëria po fiton në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Shpresoj që në vitin 2012 të ketë të tjera zhvillime pozitive lidhur me fushat e tjera prioritare. I uroj Avokatit të ri të Popullit suksese në përmbushjen e funksioneve të tij të rëndësishme", përfundon Fyle.
 

Më herët kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Ëollfarth, mirëpriti sot zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit dhe theksoi se votimi konsensual i sotëm tregon se si dialogu mes dy blloqeve kryesore politike mund të japë rezultate në dobi të popullit të Shqipërisë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›