Meksikë, shkarkohen 900 agjentë policie

Të gjithë agjentët e policisë të një komune në Meksikë janë shkarkuar nga autoritetet, si pjesë e një fushate për crrënjosjen e korrupsionit dhe përmirësimit të sigurisë përballë dhunës së narkotrafikut.
Mbi 900 oficerë në Verakruz-Boka del Rio po humbasin vendin e punës, pasi marina meksikane po merr përsipër përgjegjësinë për vendosjen e ligjit.
Lëvizja në fjalë vjen tre muaj pasi 35 trupa të pajetë u gjetën të hedhur në një rrugë kryesore të komunës në fjalë, që përfshin disa zona të Verakruzit.
Trupat e marinës, të mbështetura nga oficerët e policisë federale, morën nën kontroll ndërtesat e policisë lokale dhe tani janë ato që po patrullojnë rrugët.
Guvernatori i shtetit të Verakruzit, Javier Duarte deklaroi se vendimi për të shpërbërë forcat e policisë ishte pjesë e një programi të gjerë kombëtar për reformimin e forcave të rendit.