E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle, Jahjaga: Plan konkret për zgjidhjen e situatës në Veri

04-02-2012 / Gazeta 55

Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Shtefan Fyle ka kërkuar që “Kosova të ketë një plan për veriun e Kosovës”. Në një njoftim pas takimit të djeshëm me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, në Munih të Gjermanisë, zoti Fyle “ka theksuar nevojën për plan afatgjatë dhe gjithpërfshirës për Kosovën Veriore dhe Komisioni Evropian është i gatshëm të ndihmojë në mënyrë teknike dhe financiare këtë përpjekje”.
Më tej ai ka inkurajuar Kosovën që të jetë e përkushtuar për dialogun me Serbinë dhe të jetë
konstruktive dhe fleksibile në kërkimin për zgjidhje kompromisi për çështje të rëndësishme, siç është bashkëpunimi rajonal.
Zoti Fyle ka theksuar se është e rëndësishme që marrëveshjet e arritura me dialog, në tërësi të zbatohen dhe që t`i mbështesin të gjitha forcat politike në Kosovë.
Komisionari i BE-së për zgjerim, Shtefan Fyle, gjatë takimit me presidenten Jahjaga, ka sjellë në vëmendje se me vendimet e Këshillit të BE në dhjetor, është paraparë forcim i theksuar i bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës, i cili do të fuqizohet në vazhdim.
Në këtë kuadër ai ka theksuar se përgjegjësia për realizimin e perspektivës evropiane të Kosovës është para se gjithash “në anën e autoriteteve të Kosovës”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›