E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Më 21 janar, Edi Rama sulmoi shtetin - nëse Garda do ishte tërhequr, Kryeministria do ishte pushtuar

04-02-2012 / Gazeta 55

Në një intervistë ekskluzive për “Ora News”, kreu i LSI-së, Ilir Meta analizon situatën politike në vend nga ngjarja e 21 janarit të kaluar, hetimet e prokurorisë, video-përgjimi, zgjedhja e presidentit dhe integrimi i vendit në BE. Z.Meta thekson se 21 janari ishte padyshim një ngjarje e rëndë për vendin, por kujtoi se është pranuar botërisht se Edi Rama sulmoi institucionet për të marrë pushtetin me dhunë. Sipas z.Meta, nëse Garda e Republikës do ishte tërhequr, selia e Këshillit të Ministrave do ishte pushtuar dhe ky moment do përcillte një mesazh tepër negativ për Shqipërinë në sytë e ndërkombëtarëve. Ai theksoi gjithashtu se vrasjet e asaj dite s’kanë qenë të qëllimta, por se vlen të kujtohet se Garda e Republikës ka detyrë Kushtetuese mbrojtjen e institucioneve


Z.Meta, së fundmi ka një perceptim se situata kriminalistike, situata e rendit është përkeqësuar. Ju e ndani këtë mendim?


Ndaj shqetësimin që theksuat dhe ju dhe që duhet ta kenë shumë qytetarë, sidomos dhe pas ngjarjeve të djeshme. Por, dua të shpreh bindjen time se këto ngjarje duhet të shërbejnë si indikatorë për të krijuar perceptimin e një pasigurie tepër serioze për disa arsye. Shpresoj që strukturat e Policisë së Shtetit dhe në këtë rast të japin goditjen e ashpër ndaj këtyre vrasjeve dhe kemi të bëjmë me një ndërgjegjësim me një dinamizëm të të gjithë sistemit që shton sigurinë kombëtare dhe të qytetarëve. Por, nuk do të isha dakord që duke u nisur nga disa ngjarje shumë të rënda që kanë ndodhur, të krijojmë një përfytyrim të paqartë, për arsye se siguria në tërësi është e stabilizuar dhe e qëndrueshme. Por, nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë se Shqipëria është një nga vendet që promovohet sa më shumë nga shoqatat botërore të turizmit. Është si një destinacion ku ftohen turistë nga e gjithë bota dhe kjo nuk mund të ndodhë në një vend që nuk ofron siguri. Së dyti, këtë vit është shokuar e gjithë bota nga ajo që ka ndodhur në Norvegji, ku humbën jetën qindra qytetarë. Por kjo nuk do të thotë që Norvegjia nuk është një nga vendet më të pasigurta në botë, pasi është një nga vendet më të sigurta. Janë një sërë faktorësh që ndikojnë, por ajo që duhet është që mbi të gjitha të kemi një rritje të ndëshkueshmërisë në këtë drejtim. Jeta e një qytetari është gjëja më e shtrenjtë për çdo shoqëri dhe këtu goditja duhet të jetë pa asnjë lloj tolerance.


Çfarë ndjesinë keni për Policinë në këtë situatë?


Krijoj një bindje të veçantë jo vetëm për Policinë por dhe për fusha të ndryshme, sepse të bësh një vlerësim të veçantë natyrisht duhet të kesh dhe një informacion të veçantë. Por them me bindje të plotë që Polica e Shtetit dhe strukturat e rendit ka bërë një punë të jashtëzakonshme për përmbushjen e shumë detyrimeve sepse gati shumica e detyrimeve i takonin policisë për çështjet e kufirit, krimit të organizuar e kështu më radhë. Nuk duhet të nisemi nga ngjarje të caktuara për të arritur në përgjithësime tepër serioze.


Do t’i pohoni apo përgënjeshtroni zërat se ju si ministër rendi mund të bënit më shumë?


Duket fare pa lidhje dhe absurde për arsye se nuk mendoj se përgjegjësia dhe suksesi në vendosjen e rendit është meritë apo është përgjegjësi thjesht e një ministri . Ministri ka një rol shumë të rëndësishëm. Mos harrojnë se janë edhe shumë struktura të tjera dhe është një kompleksitet i tërë, lufta kundër krimit, është prokuroria, është policia, gjykata e kështu me radhë.


Në vitin 2002 keni dashur të bëheni ministër i Brendshëm?


Në vitin 2002 mund të bëhesha çfarë të dëshiroja, por asnjëherë nuk më ka shkuar mendja për t’u bërë ministër i Brendshëm, të paktën në atë kohë. Nëse në çdo kohë do të më thoshte dikush zgjidh një ministri, unë dashurinë e kam tek ministria e Jashtme dhe ajo më jep shumë kënaqësi. Por, detyra ime si kryetar i një force politike, e cila është e lidhur jo pak me angazhimin dhe emrin tim, që nga themelimi deri më tani. Shpresoj të mos jetë kështu gjithmonë.


Konfliktet që ka politika e ditës, i ka krijuar një terren të lirë dorës kriminale?


Kjo retorikë e papërgjegjshme e politikanëve sidomos duke akuzuar se policia është vrasëse, garda është vrasëse, ata janë bijtë e këtij populli dhe janë njerëz të përkushtuar dhe të përgjegjshëm duke punuar edhe në të ftohtë. Ata sigurojnë jo vetëm institucionet, por edhe rrugët e zëna nga dëbora e kështu me radhë. Natyrisht që kjo nuk jep një ndikim pozitiv sepse kjo inkurajon kriminelët apo banditët, inkurajon ata që qëllojnë me gurë, me armë ndaj policisë, por polici është takimi i parë i çdo qytetari me shtetin. Këto nuk janë aspak pozitive dhe policia për mendimin tim ka kaluar hapa shumë të rëndësishëm për të qenë një institucion i pavarur, pasi po të vëmë re edhe për të gjitha zgjedhjet është vlerësuar shumë nga të gjitha misionet ndërkombëtare, për profesionalizimin e saj. Është një institucion që u takon të gjithëve dhe nuk duhet të dëmtuar kredibiliteti i saj për qëllime politike.


A mendoni se është përkeqësuar edhe perceptimi i qytetarëve ndaj Forca të Armatosura, duke iu referuar edhe rolit të gardës në ngjarjet e 21 janarit?


Unë kam një kundërpyetje: cili do të perceptimi i opinionit publik në rast se më 21 janar Garda e Republikës do të ishte tërhequr dhe do të kishte lënë Kryeministrinë të merrej. Mendoj se ngjarje të tilla nuk duhet të ndodhin më. Humbën jetën 4 qytetarë të pafajshëm. Unë mund t’ju them me bindje që askush nga punonjësit e gardës nuk kanë dalë atë ditë me qëllimin të vrasin njerëz. Ndoshta ata dhe drejtuesit e policisë që dhuna do të ishte ekstreme. Po të kihen parasysh ato viktima të pafajshme nuk mund të thuhet se ato kishin një agresivitet të veçantë. Këto rrethana do t’i shqyrtojnë strukturat e posaçme. Nuk është koha për tu marrë me këto akuza të ndërsjellta sepse nuk ndikojnë pozitivisht as në procesin e hetimit dhe as në atë të gjykimit. Për sa i përket tragjedisë së Gërdecit nuk mendoj se kjo ka qenë vepër e ushtrisë pavarësisht individëve të caktuar që kanë pasur përgjegjësinë dhe që nuk kanë parashikuar rreziqet potenciale. Duke qenë se kam qenë para një vit për rreth një muaj në Shkodër për përmbytjet mund t’ju them se komuniteti ka një respekt të madh për policët dhe për ushtarakët sepse për javë të tëra këta njerëz kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar persona të ndryshëm. Unë kam një respekt të veçanta për këto kategori. Irritohem shumë kur sulmohen sepse sulmohet shteti ashtu sikurse irritohem kur një polic përdor dhunë. Ne nuk duhet t’i politizojmë këto institucione që janë të vlerësuara.


Mendoni se 21 janari e ka ndarë përgjysëm historinë moderne të Shqipërisë?


Absolutisht, jo!. Historia e Shqipërisë është ndarë në dhjetor të vitit 1990. Këto janë ngjarje të padëshiruara dhe të sforcuara. Edhe konflikti që shohim sot është i lokalizuar. Para konflikti politik shkonte edhe më gjerë ndërsa sot është ndryshe. Edhe më 21 janar kemi paraë vetëm një grup të përgatitur për dhunë dhe socialistë që kishin ardhur për të bërë protestë qytetare dhe paqësore.


Keni refuzuar të jeni anëtar në Komisionin Hetimor Parlamentar për 21 janar. Pse e keni bërë këtë?


Kjo nuk është çështje refuzimi. Ai një komision dhe ka të drejtën e tij të hetojë objektin por unë mendoj se rruga më e mirë është të inkurajojmë drejtësinë dhe që t’i bëjmë thirrje që të mos vazhdojë lojërat politike. unë besoj se do të ketë drejtësi. Kjo ndodhi me mua dhe besoj se do të ndodhë edhe për këtë çështje.


Meqenëse erdhëm tek drejtësia, ju keni qenë klient i saj në një nga proceset me të bujshme të këtyre kohëve. A mund të na tregoni të vërtetën sipas opinionit tuaj zoti Meta?


Kam një propozim tjetër. Për të gjithë përfaqësuesit e opozitës parlamentare të cilët nuk janë të kënaqur dhe kanë vlerësimin e tyre për vendimin e qartë që dha Gjykata e Lartë, 5 me 0 lidhur me pafajësinë time për mungesën e çdo fakti dhe prove për akuzën e ngritur nga Prokuroria ndaj meje. Nëse kjo gjë nuk i ka bindur, unë jam i hapur që të ngrenë një Komision Hetimor Parlamentar dhe të shikojnë dhe njëherë gjithë çështjen bashkë dhe me Prokurorinë dhe ekspertët e saj, ekspertët e gjykatës bashkë dhe me ekspertin tim, që pa modesti mund të them që është më i miri jo vetëm përtej Adriatikut por dhe shumë më gjerë dhe i sqarojmë atje. Komisionet Parlamentare kanë një të mirë që janë të hapura për gazetarët. Për fat të keq, ky procesi i mi në Gjykatë nuk jepej nga media për arsye të rregullave të vetë Gjykatës së Lartë dhe mendoj se përgjigja më e mirë ndaj akuzave dhe shpifjeve, është transparenca.


Pra, në këtë rast mendoni se një komision hetimor do të ishte më i mirë se ai i 21 janarit?


Kjo është një tjetër gjë,sepse tek 21 janari vazhdojnë hetimet.


Qëndrojmë tek videoja. Është e datës 1 mars e 2010-ës. Në këtë video të paktën me figurë ju jeni duke biseduar me ish-nënkryetarin e partisë suaj. Çfarë diskutonit?


Kjo nuk ka më asnjë lloj rëndësie. Mund t’iu jap një DVD të asaj videoje dhe dëgjoni nëse arrini të dëgjoni diçka. Kjo nuk përbën më asnjë lloj kurioziteti për askënd sepse të gjithë e kanë kuptuar që ajo ka qenë një lojë politike dhe lojëra të tilla absolutisht që janë lojëra të ulëta. Në një intervistë që dha për gazetarin Blendi Fevziu, kryeprokurorja Ina Rama foli për akuzat që ju keni bërë mbi Prokurorinë në lidhje me çështjen tuaj në lidhje me krimin e organizuar.


Zoti Meta për kë e keni fjalën kur flisni për krim të organizuar?


Është vërtet për të ardhur keq kur gënjen Kryeprokurorja. Nëntë letra janë bërë nga unë dhe avokatëve të mi me qëllim që të bashkëpunonim në respekt të ligjit për të bërë një hetim sa më transparent. Nuk kemi kërkuar asgjë përveçse asaj që kërkon ligji dhe Gjykata e cila u detyrua që të mos i merrte si të vlefshme ekspertizat e sjella nga prokuroria për arsyen se 3 herë prokuroria shkeli ligjin. Që një ekspertizë ndërkombëtare të jetë e ligjshme, e vlefshme dhe e përdorshme nga Gjykata duhet bërë me letërporosi mes institucioneve dhe eksperti duhet të bëjë betimin në vendin e vete. Nëse ai bën një ekspertim të rremë ai duhet të përgjigjet para ligjit për këtë gjë. Unë kam kërkuar vetëm që në këtë proces unë të njihem me faktin që kë ekspert ka zgjedhur prokuroria dhe pyetjet që do i bëhen. E dyta, pala e akuzuar ka të drejtë të jetë prezente. Ekspertiza që u bë nga ekspertët shqiptarë është bërë në prani të prokurorëve dhe të avokatëve të mi. ajo është bërë nga 2 ekspertë shqiptarë që kanë nivel shumë të lartë profesional dhe nuk mund të krahasohen me ekspertët ku i çoi prokuroria. Kanë studiuar jashtë dhe janë shumë të kualifikuar. Unë jam që ligji të respektohet dhe të zbatohet njësoj për të gjithë dhe nga të githë. Kjo është arsyeja pse unë dhashë dorëheqjen nga pozicionet qeveritare dhe kjo është arsyeja pse unë shkova vetë në prokurori dhe i bëra letër Kryetares së Parlamentit për heqjen e imunitetit.


Zoti Meta ju keni shkëmbyer akuza reciproke me zotin Prifti asaj videoje. Korrupsioni për të cilin ju u akuzuat po konsumohej nga dy përfaqësues të lartë të LSI. Duke iu bazuar këtyre akuzave reciproke, njëri nga ju është faktori. Cili është ai?


Vendimi 5 me 0 e tregon këtë. Gjykata e vendosi se kush nuk duhet të flasë dhe nuk jemi këtu për të dëmtuar besueshmërinë e Gjykatës. Unë gjithmonë kam qenë për një transparencë maksimale, në fund të fundit të jetë dhe fatale, por transparenca është e mirë. Opozita le të ngrejë një komision hetimor parlamentar për të verifikuar se kush e ka shkelur ligjin dhe po ju them që një pjesë e tyre do të votojnë për pafajësinë time. Një pjese e tyre me kanë uruar dhe pjesa tjetër do më thonë që më kanë rënë në qafë. Dritan Priftin e keni promovuar ju.


A mbani përgjegjësi politike për këtë?


Kam promovuar sepse kjo është detyra e një lideri dhe unë këtë do të vazhdoj ta bëj në të ardhmen. Këtë e bëjnë të gjithë liderët në botë sepse kudo duhet të bëhen përpjekje për të promovuar njerëz të rinj dhe natyrisht që këto janë procese që kalojnë përmes përzgjedhjes, sfidave.


A keni dijeni se do të publikohen video të tjera?


Doni që të bëj korrespondentit midis jush dhe zotit Braho? Ajo që mund të them është që qytetarët janë të lodhur nga kjo histori dhe nga kjo politikë e standardeve të ulëta. Kështu që unë mendoj se duhet të shohim drejt së ardhmes. Secili që ka një fakt, që ka një video apo audio  e çon në prokurori. Ajo heton e çon në gjykatë.


A mendoni se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i korruptuar?


Perceptimi, perceptimi, perceptimi... aq më tepër kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjit. Ligji përgjithësisht është shumë i saktë pavarësisht sesi e interpretojnë apo zbatojnë përfshirë edhe prokurorët, gjykatësit dhe kështu me radhë. A ka probleme sistemi i drejtësisë? Natyrisht që ka prandaj vazhdimisht theksohet reforma në drejtësi. Është një proces i vazhdueshëm, i përhershëm. A ka përpjekje për t’i politizuar këto institucione? Natyrisht që ka. Unë e kam thënë edhe për prokurorinë, pavarësisht nga këto rezerva që kam unë, të kuptohet që ka qenë e motivuar politikisht. Absolutisht në prokurori ka njerëz të ndershëm të përkushtuar, të duash detyrën e prokurorit, njerëz që e duan profesionin të duash shtetin  sepse ka profesione më të lehta ku mund të fitosh më shumë dhe të mos përplasesh me dikë apo me disa që kanë shkelur ligjin, qofshin këta edhe politikanë, njerëz të fuqishëm nga fusha e biznesit apo edhe njerëz patjetër të cilët kanë bërë krime. Kështu që unë nuk jam dakord me këtë që çdo gjë ta përgjithësojmë. Nuk është ky gjykimi që duhet të na orientojë. Problemet janë të qarta, duhet reformë në drejtësi, duhet arritur konsensusi i duhur, duhet ecur në këtë rrugë. Ata që shkelin ligjin duhet të përgjigjen qofshin këta prokurorë, qofshin këta gjykatës. Që një politikan të shkelë ligjin, natyrisht që është e rëndë, që një drejtor të shkelë ligjin natyrisht që është e rëndë, që një prokuror të shkelë ligjin është shumë e rëndë, që gjykata të shkelë ligjin është tepër e rëndë. Pse? Sepse një politikan hetohet nga një prokuror apo një drejtor. Po kështu gjykohet nga një gjykatës. Ne tani duhet të mendojmë edhe për atë vlerësim që i bëhet edhe një prokurori, edhe një gjykatësi, ku këta shkelin ligjin dhe nuk japin drejtësinë e bazuar në ligj. Ashtu sikurse duhet mbrohen sa më shumë të jetë e mundur, nga hakmarrja politike e dikujt që nuk i pëlqen një gjykim dhe vendim. Ashtu sikurse duhet të jenë të mbrojtur sepse janë njerëz që përballen me krimin, hetojnë dhe gjykojnë kriminelët dhe të ecin në përgjegjshmërinë e tyre në mënyrë që peshorja e drejtësisë të jetë shumë e saktë.


Si mendoni për akuzat që i janë bërë nga anëtarët e mazhorancës, veçanërisht z. Pollo, Presidentit të Republikës?


Nuk dua të bëhem pjesë e kësaj polemikë. Unë në përgjithësi kam qenë shumë i kujdesshëm në këtë drejtim.


A është më mirë apo më keq drejtësia në krahasim me kohën kur ju keni qenë Kryeministër?


Unë nuk mund të bëj krahasim të tillë por absolutisht që Shqipëria ka bërë hapa përpara. Në kohën kur unë isha Kryeministër kishte mbi 18 mijë abonentë celularësh, por sot janë 4 milion e 3 qindmijë përdorues. Të thuash që sot Shqipëria është më keq se sa më parë mendoj se është mungesë realizmi dhe përgjegjësie. Absolutisht që nuk është kjo Shqipëria që duam sepse pritmëritë janë edhe më të mëdha. Sfidat e zhvillimit janë të mëdha. Treguesit e Shqipërisë janë të jashtëzakonshëm në të gjitha drejtimet.


Çfarë mesazhi i çoni një investitori tjetër të mundshëm që mund të hyjë në tregun e energjisë në Shqipëri?


Investitorët kanë vullnet të plotë për të ardhur në Shqipëri.


Kohët e fundit ka nisur një debat mes pozitës dhe opozitës për vendosjen e taksës progresive. Cili është qëndrimi i LSI-së?


Jemi shumë të saktë po të flasim në këtë drejtim sepse ideja e taksës progresive është hedhur nga LSI-ja përpara zgjedhjeve të 2005-ës. Arsyeja kryesore ka qenë për nxitjen e investimeve të huaja. një nga ideatorët e saj ka qenë Sokol Nako, që njihte shumë mirë modelin sllovak. Taksa progresive është një lehtësi për investitorët. Ne duhet të bëjmë disa politika sociale sidomos në interes të shtresave që kanë nevojë për mbrojtje sociale dhe në rast të aplikimit të taksës së sheshtë përmes politikave të caktuara mbrojtëse, shtresa të caktuara merren në mbrojtje. Unë në parim jam për taksën progresive.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›