Fyle Marrja e statusit te vendit kandidat nje hap me afer BE
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle ka deklaruar gjatë një interviste për faqen euraktiv.com se marrja e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria pas plotësimit të 12 rekomandimeve do të përbënte një hap domethënës drejt integrimit në familjen europiane. Zyrtari i lartë i Bashkimit Europian përsëriti garancinë se pas marrjes së statusit nga Shqipëria negociatat për anëtarësim do të nisnin brenda një kohe të shkurtër.
“Shqipëria ka marrë një listë të 12-të prioriteteve kyçe, mbi të cilat duhej të punonte vitin e kaluar. Këtë pranverë, ne kemi përcaktuar, së bashku me qeverinë shqiptare, një listë të masave specifike që janë të rëndësishme për t'u marrë. Pasi ato të jenë dorëzuar, Komisioni do të jetë në gjendje të rekomandojë dhënien e statusit të kandidatit, për vendin. Pastaj, kjo do të jetë e mjaftueshme për të përcaktuar detyrat e mbetura, dhe rruga drejt hapjes së bisedimeve të pranimit duhet të bëhet në mënyrë të konsiderueshme, më e shkurtër”, ka vlerësuar Fyle.
Komisioneri Fyle e vlerëson si domethënës faktin se kriza në Eruozonë nuk e ka zbehur besimin e 9 vendeve aspirante për t’iu bashkuar familjes europiane, dhe hodhi poshtë raportimet e medias për një lodhje të BE-së nga zgjerimi. Procesi i zgjerimit, thekson Fyle, ka sjellë gjithmonë zhvillime pozitive dhe do të ishte gabim që vendet anëtare të merreshin vetëm me problemet e tyre pa dashur t’ia dinë për zgjerimin dhe fqinjët tanë.
“Ka ende nëntë vende të cilat dëshirojnë të bëhen anëtare të BE-së. Kjo është ajo që unë personalisht, e shoh si dëshmi më e rëndësishme e besimit të tyre në Bashkimin Europian. Ne po flasim për një organizatë, e cila në thelb ka zgjerimin si një pjesë të ADN-së së saj. Thelbi i historisë së BE-së, nuk qëndron vetëm tek integrimi, por edhe tek zgjerimin. Ajo që unë mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme, është se në mesin e shteteve kandidate, nuk ka lodhje nga reformat, ashtu siç nuk ka lodhje nga zgjerimi mes vendeve anëtare, siç është raportuar gabimisht në media”, është shprehur komisioneri Fyle.